Trump e quan presidentin e Kolumbisë “trafikant të jashtëligjshëm droge”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot se po pezullon ndihmën ekonomike për Kolumbinë, duke akuzuar homologun e tij kolumbian, Gustavo Petro, se nuk po lufton kontrabandën e drogës.
“Që nga sot, këto pagesa apo çdo formë tjetër pagesash apo subvencionesh nuk do t’i jepen më Kolumbisë,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke përdorur si zakonisht vetëm shkronja të mëdha. Ai nuk dha sqarime se për çfarë lloj ndihme apo subvencionesh bëhet fjalë.
Njëkohësisht, Trump e quajti presidentin Petro trafikant të jashtëligjshëm droge dhe se nuk po bën asgjë për ta ndalur atë.
“Qëllimi i këtij prodhimi është të shiten sasi të mëdha droge në SHBA, duke shkaktuar vdekje, shkatërrim dhe kaos,” theksoi Trump në postimin e tij.
Reagimi i Trump vjen pas akuzave të bëra një ditë më parë nga presidenti Petro, i cili pretendoi se forcat e armatosura amerikane kishin shkelur ujërat territoriale të Kolumbisë dhe kishin vrarë një peshkatar gjatë operacioneve të tyre në Karaibe. Uashingtoni i paraqet këto operacione si pjesë e fushatës kundër karteleve të drogës.