Trump: Putin e Zelensky janë budallenj nëse nuk arrijnë paqen

Trump: Putin dhe Zelensky janë budallenj nëse nuk arrijnë paqen; problemi qëndron te urrejtja mes tyre

Pas fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ish-presidenti amerikan Donald Trump foli për situatën globale, duke u fokusuar veçanërisht te lufta në Ukrainë dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Kievit dhe Moskës.

Trump u shpreh se fillimisht kishte menduar se konflikti do të ishte i lehtë për t’u zgjidhur, por sipas tij, situata është komplikuar nga urrejtja e thellë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Ka shumë urrejtje mes Putinit dhe Zelenskyt. Kjo nuk është e mirë. Është një urrejtje jo normale,” deklaroi Trump.

Ai theksoi se si Rusia ashtu edhe Ukraina dëshirojnë një marrëveshje dhe se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndërmjetësojnë për arritjen e saj.

“Jemi afër. Në shumë momente kemi qenë shumë pranë një marrëveshjeje me Rusinë, por më pas Zelensky refuzon, ose ndodh e kundërta. Është shumë e vështirë të ruash balancën,” u shpreh ish-presidenti amerikan.

Trump e cilësoi situatën në Ukrainë si një “gjakderdhje të tmerrshme”, duke vënë theksin te përdorimi masiv i dronëve në luftë.

“Dronët po vrasin mijëra njerëz. Duhet ta ndalojmë këtë,” tha ai.

Ish-presidenti amerikan bëri të ditur se pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë ditës, duke shtuar se palët ndodhen në një moment kyç për arritjen e një pakti.

“Janë në një pikë ku mund të bëjnë një marrëveshje. Nëse nuk e bëjnë, janë budallenj, dhe kjo vlen për të dyja palët,” u shpreh Trump, duke shtuar se beson që ata nuk janë të tillë, por se refuzimi i një marrëveshjeje do të ishte një gabim i rëndë.

Scroll to Top