Trump para Bordit të Paqes: Shqipëria dhe Kosova do të dërgojnë trupa në Gaza
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë një fjalimi para Bordit të Paqes, ka bërë deklarata të rëndësishme, duke theksuar se disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, kanë premtuar dërgimin e trupave dhe forcave policore në Gaza për të mbikëqyrur një proces paqeje.
“Kemi një përgjigje shumë të mirë nga Europa. Kemi një lidhje shumë të mirë me Europën dhe NATO-n,” ka thënë Trump, duke shtuar se Norvegjia ka rënë dakord të presë një event të rëndësishëm të Bordit të Paqes.
Trump deklaroi se synimi i tij kryesor është arritja e paqes, jo fitimi i çmimeve ndërkombëtare. “Mendova se do të më jepnin Çmimin Nobel për Paqen, kjo është më pak entuziaste, por nuk më intereson për çmime, por për paqen. Kam një aftësi për të ndaluar luftëra dhe do ta përdor këtë aftësi. Dua të shpëtoj jetë,” ka thënë ai.
Sipas presidentit amerikan, janë angazhuar 2 miliardë dollarë fonde për Gazën, ndërsa Japonia ka premtuar organizimin e një konference donatorësh. Ai shtoi se edhe Kina dhe Rusia mund të përfshihen në nismë, ndërsa përmendi edhe FIFA-n si pjesë të një plani për mbledhjen e fondeve në vlerë miliardash euro.
Duke iu referuar vendeve pjesëmarrëse, Trump falënderoi Indonezinë dhe Marokun, ndërsa theksoi se Shqipëria, Kosova dhe Kazakistani kanë premtuar trupa dhe forca policore për misionin në Gaza. “Të gjitha këto vende po punojnë për një vizion që ka të bëjë me paqen në Lindjen e Mesme,” deklaroi ai, duke shtuar se është koha që edhe Irani t’i bashkohet përpjekjeve për stabilitet në rajon.
Trump paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, situata mund të përkeqësohet ndjeshëm. “Nëse nuk arrihet marrëveshja, gjëra shumë të këqija do të ndodhin,” përfundoi ai, duke shtuar se së shpejti do të bëhen publike detaje të tjera dhe se ai vetë mund të vizitojë Gazën.
