Trump konfirmon sulmet ndaj Iranit: Do t’i shkatërrojmë raketat e tyre!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar një video tetë minutëshe, duke konfirmuar përfshirjen e SHBA-së në sulmin ndaj Iranit. Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë nisur operacione të mëdha luftarake në Iran dhe se do të shkatërrojnë raketat e tyre.
“Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë një operacion të madh dhe në vazhdim për të parandaluar që kjo diktaturë radikale dhe e ligë të kërcënojë Amerikën dhe interesat tona themelore të sigurisë kombëtare,” tha ai në një videomesazh. “Ne do të shkatërrojmë raketat e tyre dhe do të rrënojmë industrinë e raketave deri në themel.”
Ai shtoi se Irani po punonte për rindërtimin e programit të tij bërthamor pas një sulmi amerikan mbi objektet bërthamore në qershor. “Ata refuzuan çdo mundësi për të arritur ambiciet e tyre bërthamore, dhe ne nuk mund ta tolerojmë më,” deklaroi Trump.
