Asnjë komb nuk e mbron dot Groenlandën, veç SHBA-ve, thotë Trump: Na duhet për sigurinë ndërkombëtare! Danimarka është mosmirënjohëse
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, u fokusua te marrëdhëniet transatlantike, roli i NATO-s dhe rëndësia strategjike e Groenlandës. Ky ishte kthimi i tij i parë në forum gjatë mandatit të dytë presidencial.
Trump theksoi lidhjet familjare me Europën, duke kujtuar origjinën gjermane dhe skoceze të prindërve të tij, si dhe vlerat e përbashkëta që SHBA ndan me kontinentin europian.
“Ne besojmë në vlerat që ndajmë me Europën. Duam aleatë seriozë, jo të dobët. Duam që Europa të jetë e fortë, sepse këto janë çështje të sigurisë kombëtare,” deklaroi ai.
Presidenti amerikan solli si shembull situatën me Groenlandën për të ilustruar qartësinë e qëndrimit të tij, duke e cilësuar territorin kyç për sigurinë globale.
Ai shprehu respekt për popullin e Groenlandës dhe Danimarkën, por nënvizoi nevojën që çdo vend anëtar i NATO-s të jetë i aftë të mbrojë territorin e tij.
“Askush përveç SHBA-ve nuk është në gjendje të sigurojë Groenlandën,” tha Trump, duke shtuar se SHBA është një fuqi më e madhe se sa perceptojnë shumë njerëz.
Duke iu referuar Luftës së Dytë Botërore, Trump kujtoi se Danimarka u pushtua shpejt nga Gjermania naziste dhe se SHBA ndërhyri për të mbrojtur Groenlandën duke ngritur baza ushtarake, çka sipas tij, pengoi zgjerimin e armiqve në hemisferën perëndimore.
Pas luftës, SHBA ia kthyen Groenlandën Danimarkës, një vendim që sot, sipas tij, shihet ndryshe. Ai kritikoi mungesën e mirënjohjes, duke theksuar se rreziqet globale aktuale, përfshirë armë të reja për të cilat nuk mund të fliste publikisht, janë shumë më të mëdha.
Trump e përshkroi Groenlandën si një territor të pazhvilluar dhe të pambrojtur, por me një pozicion jashtëzakonisht strategjik, mes Rusisë, Kinës dhe SHBA-ve. Ai theksoi se interesi amerikan nuk lidhet me burimet natyrore, por me sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Ky ishull i pasiguruar është pjesë e Amerikës së Veriut dhe është kyç për sigurinë tonë. Politika jonë ka qenë gjithmonë të ndalojmë kërcënimet e jashtme nga hemisfera jonë,” përfundoi Trump, duke vendosur çështjen e Groenlandës në qendër të debatit për sigurinë e NATO-s dhe Perëndimit.
