SHBA: Trump deklaron se do të zgjedhë udhëheqësin e ardhshëm të Iranit
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përfshira në procesin e zgjedhjes së udhëheqësit suprem të Iranit, pas vdekjes së presidentit aktual, Ali Khamenei, si pasojë e sulmeve amerikano-izraelite. Zyrtarë iranianë kanë lënë të kuptohet se ata janë “afër” shpalljes së pasardhësit të Khameneit, me djalin e tij, Mojtaba, të konsideruar si një nga kandidatët kryesorë.
Duke komentuar këto raporte, Trump i tha medias amerikane Axios: “Po humbasin kohën kot. Djali i Khameneit është një kandidat i lehtë. Unë duhet të përfshihem në emërim, njësoj siç bëmë me Delcy [Rodriguez] në Venezuelë.” Ai po i referohej ndryshimeve në Venezuelë, ku pas presidentit Nicolas Maduro, erdhi në krye zv.presidentja e tij, Delcy Rodriguez.
Trump vlerësoi bashkëpunimin me Rodriguez, duke theksuar se “nafta venezueliane ka filluar të rrjedhë” drejt SHBA-së. Ai gjithashtu deklaroi për Axios se refuzon të pranojë një udhëheqës të ri iranian i cili do të vazhdonte politikat e Khameneit, duke shtuar se këto politika do të detyronin SHBA-të të ktheheshin në luftë “brenda pesë vjetësh”.
“Djali i Khameneit është i papranueshëm për mua. Ne duam dikë që do të sjellë harmoni dhe paqe në Iran,” përfundoi Trump.
