Trump: Zgjidhja për luftën Rusi-Ukrainë është e afërt

Trump: Do të ketë një zgjidhje edhe për luftën në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përsëritur besimin e tij se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës do të përfundojë me një zgjidhje paqësore. Deklaratat u bënë gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po zhvillohet në qytetin jugkorean Gyeongju, raporton agjencia ruse Tass.

“E vetmja çështje që nuk e kam trajtuar është ajo midis Rusisë dhe Ukrainës. Por edhe kjo do të zgjidhet”, tha Trump. Ai shtoi se kishte menduar se konflikti do të përfundonte më shpejt, për shkak të marrëdhënieve të tij të mira me presidentin rus Vladimir Putin.

“Mendova se do të ishte e lehtë, falë marrëdhënies sime me Putinin, por doli pak më ndryshe. Megjithatë, besoj se do të zgjidhet. Kush do ta kishte menduar se do të arrinim paqe në Lindjen e Mesme, por jo midis Rusisë dhe Ukrainës? Sepse paqja në Lindjen e Mesme ishte e paarritshme,” shtoi ai.

Ndërkohë, Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se mbrojtja ajrore ruse ka shkatërruar të paktën 100 dronë ukrainas mbi disa rajone të vendit, përfshirë 46 mbi Bryansk, sipas raportimit të agjencisë Tass.

Scroll to Top