Enj. Nën 22nd, 2018

Tsipras ul tonet: Sot ditë zie, por duhet të shohim përpara

Vëmendja e opinionit publik në Shqipëri, por edhe atij grek, ishte përqendruar në Bularat gjatë ditës së djeshme, pasi u mbajt ceremonia mortore e Kostandinos Kacifas.

Qindra shtetas grekë, por edhe minoritarë, kishin ardhur nga Athina, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore, ndërsa nuk munguan shpalosja e flamurit grek, dhe thirrjet se “Vorio Epiri është Greqi”.

Policia shqiptare shoqëroi në komisariatin e Gjirokastrës 12 persona, pasi tentuan të bllokojnë rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, mes të cilëve edhe ekstremisti grek Haralamb Karathano, i cili dyshohet se ka hyrë ilegalisht në vendin tonë.

Ndërkohë në Athinë, duke dashur të ulë tonet, por njëkohësisht edhe të kënaqë opinionin publik vendas, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar mbrëmjen e së enjtes në televizionin Alpha, se Greqia bëri atë që duhet të bënte në rastin e ngjarjes në Bularat.

“Sot është një ditë zie, si për familjen, edhe për vendin në përgjithësi. Nuk kam shumë gjëra për të thënë, por ju siguroj se Greqia bëri gjënë e duhur që në momentin e parë, ditën e parë që ngjarja ndodhi. Shqipëria na premtoi se do të zbardhë ngjarjen në mënyrë të qartë dhe të plotë. Në fakt kjo ishte një ngjarje që në Bularat atë ditë ishim në varrezat e ushtarëve tanë, të heronjve të rënë në Shqipëri, që prej më se 70 vitesh. Qeveria përfaqësohej prej ministres së kulturës. Ishte një ngjarje jo e këndshme, por të dy vendet, duhet të ecim para për të vazhduar dialogun e nisur, të caktojmë të drejtat për minoritetin tonë që jeton atje, por njëherazi të zgjidhim edhe çështjet që preokupojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”, deklaroi Tsipras.

Ndërkohë kryeministri Rama ka reaguar pas ceremonisë në Bularat, në faqen e tij në Facebook, duke iu përgjigjur shqetësimit të një komentuesi.

“Shteti ynë s’lufton as me arkmorte dhe as me provokatorë varrimesh. Kush erdhi për të provokuar, hyri, turpëroi veten e flamurin e tij, dhe iku. Patriotizmi nuk është të urresh tjetrin e gjuhën e tij, por të duash vendin e gjuhën tënde. Minoriteti grek, njerëzit e mirë të minoritetit e të Bularatit, nuk janë “greku”, po janë qytetarë të respektuar e të pazëvendësueshëm të Shqipërisë. Shqipëria nuk “flliqet” nga ca të pagdhendur, që jetojnë si hiena e këndojnë si korba!”, thotë Rama.

Janë qenie të mjera që përdhosin të vdekurin që medemek respektojnë, dhe ulin dinjitetin e flamurit të kombit të tyre, një komb që i ka dhënë shumë njerëzimit, një popull që s’ka qenë e s’mund të jetë kurrë armiku ynë; një vend ku shqiptarët kanë gjetur strehë, njësoj siç kanë gjetur grekët strehë tek ne dhe që edhe ai, si çdo vend, ka taksiratin të ketë derrat e gomerët e vet”, shtoi Rama në reagimin e vet.

InfoPasqyra/tch

Kategori