Të sëmurët me tumor po largohen jashtë vendit, numri i diagnozave në QSUT ra me 45% në vitin 2024
Sëmundjet tumorale po përparojnë në popullsinë shqiptare më shpejt sesa aftësia e shtetit për të përballuar trajtimin e tyre me medikamente. Si pasojë, një pjesë e mirë e pacientëve detyrohen të largohen jashtë vendit për trajtim, duke u përballur me sfida të shumta, mes të cilave spikasin kostot e larta financiare.
“Duke u nisur nga fakti se në vendin tonë nuk disponojmë Actinomycin D dhe jemi përpara një forme agresive, mendojmë që fëmija të trajtohet jashtë vendit”. Kjo ishte deklarata e një familjeje me fëmijë të prekur nga tumori, të cilën Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) e gjeti gjatë një kontrolli të ushtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) mbi efektivitetin e barnave kundër neoplazive.
Megjithëse pacientit iu sigurua cikli i parë i trajtimit, nuk u vijua më me hapat e tjerë në Komisionin Ndërspitalor, pasi familja vendosi të dërgojë fëmijën për trajtim jashtë vendit. Ndërmjet viteve 2020 dhe 2024, rreth 12 pacientë me tumor që kishin nevojë për trajtim me “Actinomycin D”, tetë prej tyre janë dërguar për mjekim jashtë vendit.
Ndërsa përhapja e sëmundjeve tumorale po vjen në rritje nga viti në vit, numri i diagnozave në QSUT po vjen në ulje. Sipas KLSH, vitin e kaluar në QSUT u kryen 2024 diagnoza për sëmundjet tumorale, ose 45% më pak se në vitin 2023. Nga ana tjetër, vitin e kaluar 3374 persona humbën jetën nga këto sëmundje, një rritje prej 1% krahasuar me vitin 2023.
Një numër i madh personash me sëmundje tumorale vendosin të kurohen jashtë vendit për shkak të pasigurisë dhe mungesës së medikamenteve. Sipas KLSH, rezulton se nga 253 barna anti-tumorale të autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë, 46% nuk janë importuar në asnjë moment gjatë periudhës së auditimit, çka tregon për mungesë të mekanizmave efektivë që lidhin autorizimin me furnizimin real në treg.
Gjithashtu, konstatohet një nivel i ulët i kontrollit laboratorik mbi cilësinë e barnave antitumorale. Sipas KLSH, nuk janë ezauruar në mënyrë shteruese të gjithë mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes institucionale nga të gjitha subjektet nën auditim, duke ndikuar negativisht në mirëmenaxhimin e proceseve të të gjithë zinxhirit të disponibilitetit të barnave.
Në këtë kontekst, problematikat burojnë nga një sërë faktorësh të ndërthurur, si nën-financimi buxhetor, mangësitë në planifikimin e bazuar në nevojat reale nga Shërbimet, vonesat proceduriale, të kombinuara me parregullsitë përgjatë procesit të administrimit të barnave, mbikëqyrjes së furnizimeve si dhe mungesës së monitorimit nga organet përgjegjëse. Këto çojnë në mangësi sistemike në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor për grupin e pacientëve me sëmundje tumorale. /Monitor.al
