“`html
Tuneli i Llogarasë/ Si “hakmarrja” e Ahmetajt përgatiti prangat për Ballukun
Denoncimi i ish-zv/kryeministrit për tenderin e anulluar dhe ndryshimin e firmës fituese, nga “Gjoka” me një kompani turke, nuk rezultoi pa bazë. SPAK e ka marrë të pandehur pasardhësen e tij për trukimin e tenderit të tunelit.
Për Belinda Ballukun, SPAK duket se ka nxjerrë një kërkesë të re. Prokurori Dritan Premçi u bë i pari i llojit të tij që ka marrë të pandehur një anëtar të lartë qeveritar që gjendet ende në detyrë. Ai po ashtu ka vendosur ta hetojë atë për procedurën e dhënies së tunelit të Llogarasë, jo për marrjen e ryshfeteve.
Në njoftimin që prokuroria speciale nxori në fundjavën e kaluar, theksohej se Belinda Balluku po merret e pandehur për “Shkelje të parimeve në tendera dhe ankande publike”. Për të kuptuar më mirë këtë zhvillim, është e domosdoshme të thellohemi në historikun e kësaj çështjeje, e cila nisi me një tender të anulluar më 11 dhjetor 2020.
Ky tender u fitua nga kompania shqiptare “Gjoka Construction”, me një vlerë prej 140 milionë eurosh. Megjithatë, kjo “garë” u anullua shpejt me pretendimin se asnjë nga gjashtë kompanitë pjesëmarrëse nuk përmbushte kriteret e kualifikimit.
Katër muaj më vonë, kjo u bë publike. Më 19 prill 2021, në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte prishur, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentacionin e nevojshëm.
Ndërkohë, në prapaskenë kishte filluar të luhej një lojë tjetër. Kur ky tender u ripërsërit, fitues u shpall një bashkim firmash turke, INTEKAR-ASL, e cila, sipas prokurorëve, kishte faturuar 30 milionë euro më shumë sesa tenderi i parë.
Ndërtimi i këtij tuneli kishte ngritur që në fillim pikëpyetje të mëdha si një aferë korruptive. Ai i shërben një zone nga Palasa në Qeparo, që numëron gjithsej 8 mijë shtretër turistikë, ndërkohë që në zonë ekzistojnë aktualisht 110 mijë të tillë. Pra, ai si prioritet ishte më se i diskutueshëm.
Nëse i shtohet kësaj edhe kosto marramendëse, e gjitha bëhej edhe më e dyshimtë. Ndërkohë që tuneli që lidh Tiranën me Elbasanin, ai i Kërrabës, ka kushtuar 14 milionë euro për kilometër, ai i Llogarasë, vetëm 5.9 kilometra, pritej të shkonte dyfishin e kësaj shifre.
Afera filloi të vihej re që me anullimin e tenderit dhe ripërsëritjen e tij me një shifër më të lartë, por ajo shpërtheu publikisht pasi ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj e denoncoi atë si një vjedhje flagrante gjatë një interviste me Çim Pekën në korrik 2024.
Akuza që Ahmetaj bëri nga Zvicra ishte se Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë kontribuar në zhdukjen e 50 milionë eurove (30 milionë pretendon sot prokuroria), të cilat u zhdukën nga një tender në tjetrin. Ahmetaj këmbënguli se të gjitha punimet u bënë nga kompania “Gjoka”, që fitoi tenderin e parë, dhe se ai kishte prova nga doganat, se kompania turke nuk kishte sjellë asnjë makineri apo pajisje në Shqipëri.
Në fakt, kjo është e vërtetë. Në të gjitha kronikat propagandistike që ka publikuar Balluku nga tuneli, shihen vetëm punonjës me jelekë dhe helmeta të firmës “Gjoka”.
Ahmetaj shkoi edhe më tej: “Shikoni kush ka qenë në Ankara pak ditë para tenderit të dytë dhe do ta kuptoni. Ekzistojnë foto nga këto takime”, këmbënguli atëherë ish-zv/kryeministri.
E vërteta e denoncimit të tij konfirmohej lehtësisht nga profili i Belinda Ballukut në Facebook. Më 2 qershor (tenderi i dytë, që shpalli fitues kompaninë turke INTEKAR-ASL, u zhvillua më 22 qershor) ajo dhe Rama shkuan në Ankara për të biseduar me “kompanitë e ekselencës në fushat e infrastrukturës dhe teknologjisë”.
Sipas dëshmitarëve, dy drejtuesit e lartë të qeverisë u takuan veçmas edhe me kompaninë që do të shpallej fituese e “garës” tre javë më pas.
Jo më kot në intervistën e tij, Ahmetaj deklaroi atëherë: “Unë nuk jam 007, por nëse do Altin Dumani, ja ku i ka faktet. Iu hoq tenderi ‘Gjokës’ me presion, i cili ofroi 140 mln euro dhe u ritenderua për 190 mln euro me kursin e sotëm dhe pas një procedure të parapërgatitur, e morën turqit.”
Një vit e gjysmë më pas, SPAK ka marrë të pandehur Belinda Ballukun për një procedurë tenderi, ku ka qenë prezente në çdo hap ish-zv/kryeministrja dhe shefi i saj.
Sipas një hetimi me dokumenta, 30 milionë eurot e famshme tashmë janë shpërndarë si dividenda tek partnerët e panjohur turq, ndërsa ka burime të pakonfirmuara që pohojnë se ato kanë mbetur në Shqipëri, madje një pjesë ka shërbyer edhe për të financuar një nga televizionet e mëdha të vendit.
Megjithatë, pavarësisht nga këto, denoncimi që bëri Arben Ahmetaj, të cilin spin-doktorët e Ramës atëherë u munduan ta zhvlerësojnë duke thënë se “nuk tha asgjë të re”, duket se pati vlerë.
Sot, edhe qarqet rreth Ballukut nuk e mohojnë abuzimin me miliona dollarë, por mundohen ta mbulojnë këtë vjedhje me interesin strategjik për ta mbajtur mirë me Erdoganin. Pra, askush nuk e mohon më ekzistencën e milionave të zhdukur për gjashtë muaj, mes dhjetorit 2020 dhe qershorit 2021, nga tenderi i parë tek “gara” e dytë.
“`
