Një përfaqësues i Kremlinit, Kirill Dmitriev, ka propozuar bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërtimin e një tuneli hekurudhor nën ngushticën e Beringut, i cili do të mbante emrin “Putin–Trump”. Projekti synon të lidhë dy vendet, të nxisë bashkëpunimin në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe të simbolizojë “unitetin”.

Propozimi vjen nga Kirill Dmitriev, përfaqësues i posaçëm i presidentit Vladimir Putin për investimet dhe kreu i fondit shtetëror rus të investimeve RDIF. Ai ka sugjeruar ndërtimin e një lidhjeje hekurudhore dhe transporti mallrash, me një gjatësi prej 112 kilometrash. Vlera e projektit vlerësohet rreth 8 miliardë dollarë dhe parashikohet të financohet nga Moska dhe “partnerë ndërkombëtarë”. Kohëzgjatja e ndërtimit parashikohet të jetë më pak se tetë vjet.

Burime të brendshme sugjerojnë se Dmitriev është pjesë e një strategjie diplomatike të Rusisë për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në. Ideja për tunelin u prezantua të enjten mbrëma, pas një bisede telefonike mes presidentit Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump, ku u ra dakord për një takim në Budapest për të diskutuar përfundimin e konfliktit në Ukrainë.