VIDEO: Turist shpëton mrekullisht pasi ra nga një shkëmb 40 metra i lartë në Kinë
Një turist në Kinë ka përjetuar momente tepër dramatike, por edhe fat të jashtëzakonshëm, pasi ka rënë nga një shkëmb rreth 40 metra i lartë. Ngjarja ndodhi në Parkun Malor Huangying, në Guang’an, ndërsa ai po përpiqej të bënte një selfie.
Pamjet e kapura nga një dëshmitar okular tregojnë momentin kur burri humb ekuilibrin dhe rrëshqet drejt bosh. Pavarësisht lartësisë së rënies dhe terrenit tejet të rrezikshëm, ai arriti të mbijetojë.
Në një postim të mëvonshëm në rrjetet sociale, turisti shprehu mirënjohjen duke deklaruar se ndjeu se “perënditë e malit e ndihmuan”. Ai përshkroi momentet kur ra nga lartësia prej 40 metrash dhe rrëshqiti për gati 15 metra. “Kur shkëmbinjtë u shembën nën këmbët e mia, mendova se do të vdisja. Është e mrekullueshme të jesh gjallë,” shkroi ai.
Videoja e rënies ka marrë një përhapje të gjerë në internet. Megjithatë, një zëdhënës i parkut natyror, në një deklaratë për gazetën Mirror më 12 gusht 2025, tha se deri në atë moment nuk ishte marrë asnjë raport zyrtar për një incident të tillë. Sipas tij, zona e njohur si “Blade Rock”, ku dyshohet se ka ndodhur aksidenti, nuk bën pjesë në kufijtë zyrtarë të zonës turistike. Ai shtoi se aty “lejohet vetëm vëzhgimi nga distanca dhe në asnjë rrethanë nuk lejohet ngjitja”.
Autoritetet e parkut apeluan që vizitorët të respektojnë rregullat e sigurisë, të shmangin zonat e mbyllura ose të paautorizuara dhe të tregojnë kujdes gjatë eksplorimeve në natyrë.
