Turistët nga Belgjika të shpëtuar në Valbonë
Dy turistë nga Belgjika, të cilët kishin mbetur të bllokuar në zonën e njohur si Qafa e Valbonës, janë shpëtuar nga Policia e Kukësit.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia është njoftuar rreth orës 14:00 të një dite më parë nga vetë turistët. Ata shpjeguan se teksa po eksploronin Alpet e Valbonës, nuk mund të vijonin më lëvizjen për shkak të dëborës dhe terrenit malor.
Pas disa orësh kërkime intensive në këmbë, efektivët e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit arritën të gjejnë turistët në “Qafën e Valbonës”.
Fatmirësisht, dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë akomoduar tashmë në një bujtinë në Valbonë. Ata kanë shprehur mirënjohje për shërbimet e Policisë dhe ekipin e kërkim-shpëtimit për ndihmën e menjëhershme.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që, për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
