Enj. Nën 22nd, 2018

Turizëm gjithëvjetor në Dardhë

TIRANË, 10 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Natyra mahnitëse dhe monumentet e kulturës e bëjnë Dardhën në Korçë një potencial real për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor.

Nxitja e turizmit familjar dhe atij malor janë pikënisjet kryesore që kanë përfshirë Dardhën, rreth 17 km larg nga Korça, në programin “100 fshatrat”.

Me një numër të konsiderueshëm bujtinash dhe tavernash tradicionale, të cilat ofrojnë ushqim tradicional dhe tepër të veçantë, si dhe me pistën e skive që frekuentohet nga një numër i madh vizitorësh vendas dhe të huaj gjatë muajve të dimrit, Dardha ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar në model të zhvillimit rural.

Në Dardhë mund të shijoni po ashtu pushtetin e vjeshtës me gjithë ngjyrat që ajo ofron, ndërsa në stinën e dimrit Dardha me pjerrësitë e saj është një vend ideal për amatorët e skive. Pista e skive është në funksion të plotë, dhe është sot një nga pikat më tërheqëse dimërore të Dardhës.

Dardha dallohet për tradita të hershme dhe kostumet karakteristike apo artizanatin e përpunimit të drurit e shajakut.

Zhvillimi i Dardhës varet kryesisht nga turizmi, ndaj vlejnë për t’u veçuar edhe monumentet e natyrës si Guri i Vjeshtës, Rrëpira e Rahut, Bredhi i Vishnjës, apo burimet ujore të zonës që njihen për vlerat kurative. /j.p/

Kategori