Turizmi 2025: Rritje e ngadaltë, sfidat e infrastrukturës

Turizmi në 2025: 12.4 milionë hyrje të huaj, por rritja ngadalësohet ndjeshëm

Turizmi në vitin 2025 ka shënuar një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes krahasuar me vitin paraardhës. Pavarësisht se numri i hyrjeve të të huajve arriti në 12.46 milionë, duke shënuar një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, bie në sy një ulje e ritmit të rritjes. Në vitin 2024, kjo rritje ishte 15.2%.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi lëvizjen e shtetasve për muajin dhjetor, nxjerrin në pah këtë panoramë:

  • Gjatë muajit dhjetor 2025, në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë hyrë 1,542,889 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 7.0% krahasuar me dhjetorin 2024.
  • 1,353,137 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar një rritje prej 8.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
  • Në dhjetor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 844,147, me një rritje prej 7.1% krahasuar me dhjetorin 2024.
  • Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 698,742. Ky numër është rritur me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Daljet e shtetasve sipas INSTAT:

  • Në dhjetor 2025, 714,457 shtetas shqiptarë kanë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar një rritje prej 10.6% krahasuar me dhjetorin 2024.
  • Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë dhjetorit 2025 janë 638,680. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 5.5%.

Përbërja gjeografike e hyrjeve të shtetasve të huaj:

  • Në dhjetor 2025, 97% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës.
  • Evropa Jugore zë 85% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 6% dhe Evropa Veriore me 4%.

Turizmi në 2025 dhe pritshmëria

Viti 2025 nisi me një pritshmëri optimiste nga turoperatorët për një vit të suksesshëm, por kjo pritshmëri u zbeh muaj pas muaji, duke u bërë më e qartë në fillim të verës. Operatorët theksuan se rritja e çmimeve në disa rajone, zhvlerësimi i euros kundrejt lekut, si dhe problemet bazike të shfaqura kryesisht gjatë verës, e bënë Shqipërinë më pak atraktive.

Italianët, megjithëse të pranishëm gjatë verës, ulën ritmin e vizitave. Kosova gjithashtu u fokusua kryesisht në pjesën veriore të vendit. Ndërkohë, mungesa e ujit në Golem, apo probleme me energjinë dhe djegien e mbetjeve në pjesën e Jugut, u bënë arsye të tjera për vlerësime negative.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Shqipëria arriti të ruajë një rritje të moderuar, si efekt i ecurisë së mirë të tureve kulturore gjatë pranverës dhe verës, një aspekt i theksuar si pozitiv nga turoperatorët.

Për vitin aktual, operatorët janë treguar më të rezervuar në parashikime, duke nënvizuar se tendenca e rritjes do të jetë e ngjashme me vitin që lamë pas. Ata theksojnë nevojën për reflektim dhe marrjen e masave urgjente për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimit, në mënyrë që kjo rritje, edhe pse e moderuar, të jetë e qëndrueshme.

Scroll to Top