Turizmi nuk mbështet bujqësinë, importet ushqimore +15%

Turizmi nuk po ndihmon fshatin, importet e ushqimeve u rritën me 15% në 5-mujor

Bumi turistik nuk po arrin të mbështesë apo të gjenerojë zhvillim në sektorin e bujqësisë. Përkundrazi, prodhimi vendas po zëvendësohet me shpejtësi nga produktet e importuara, madje edhe në ato kategori ku Shqipëria tradicionalisht ka pasur avantazh konkurrues, siç janë zarzavatet.

Të dhënat më të fundit mbi tregtinë jashtme për periudhën janar-maj 2026 tregojnë një varësi të theksuar të vendit nga importet e produkteve ushqimore. Totali i importeve të grupit të ushqimeve arriti në mbi 520 mijë tonë për këtë periudhë, duke shënuar një rritje prej 14% ose rreth 62 mijë tonë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Ky zgjerim dyshifror i importeve ushqimore po nxithet kryesisht nga rritja e konsumit, e cila lidhet me fluksin e hershëm të turistëve dhe ndryshimet në tregun e brendshëm. Megjithatë, në kohën kur vendi ka hyrë në kulmin e sezonit të prodhimit bujqësor, importet e zarzavateve dhe frutave kanë shënuar rritje të konsiderueshme.

Importet e zarzavateve të ngrënshme arritën në 38 mijë tonë në 5-mujorin 2026, nga rreth 33 mijë tonë në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 15.3% në sasi, ose 5 mijë tonë më shumë. Frutat kanë pësuar një rritje prej 8.1%, duke tejkaluar pragun e 51 mijë tonë. Këto tendenca reflektohen edhe në importet e mishit dhe produkteve të brendshme, të cilat janë rritur me rreth 14%, duke arritur në 20 mijë kilogram, si dhe në produktet e bulmetit me 10.7%. Kjo situatë dëshmon për rënien e vazhdueshme të numrit të krerëve të blegtorisë në fshatrat shqiptarë.

Drithërat kanë regjistruar rritjen më të madhe, duke shkuar në 171 mijë tonë, me një rritje prej 26.3%. Importuesit raportojnë se rritja e importeve vjen edhe nga frika e mundësisë së rritjes së çmimeve për shkak të situatës në Iran.

Kjo dinamikë e importeve ushqimore ilustron se sektori i hoteleri-turizmit dhe konsumatorët vendas po plotësojnë nevojat e tyre përmes importeve, ndërkohë që serat dhe fushat e vendit ndodhen në piken më të lartë të prodhimit. Megjithëse flukset turistike në Shqipëri po promovohen si një motor i zhvillimit ekonomik, ato nuk po lidhen me prodhimin vendas. Në vend që paratë e turistëve të mbështesin fermerët vendas, ato po kanalizohen drejt importeve.

Nëse kjo tendencë vazhdon, Shqipëria rrezikon të shndërrohet në një ekonomi shërbimesh e cila ushqehet tërësisht nga jashtë.

Scroll to Top