Turqia vendos sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot”, Erdogan i drejtohet Iranit: Raketat drejt nesh janë të pa justifikueshme
Turqia ka njoftuar se një sistem mbrojtës ajror “Patriot” po përgatitet për gatishmëri operacionale në Turqinë lindore. Ky veprim bëhet si pjesë e përpjekjeve të koordinuara me NATO për të forcuar mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit, në mes të tensioneve të vazhdueshme rajonale, sipas agjencisë Anadolu Agency.
Në një deklaratë, Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare theksoi se, për shkak të zhvillimeve të fundit rajonale, Forcat e Armatosura Turke mbeten “plotësisht të përkushtuara për të siguruar vendin dhe qytetarët”.
“Përveç masave kombëtare që kemi zbatuar, NATO ka përmirësuar masat e mbrojtjes ajrore dhe raketore. Si pjesë e këtij kuadri, një sistem ‘Patriot’ ndodhet aktualisht në Malatya dhe po përgatitet për gatishmëri operacionale për të mbështetur mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore”, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes.
Njoftimi i Turqisë për aktivizimin e sistemit mbrojtës raketor erdhi pas shkatërrimit të dy raketave iraniane, të cilat ishin nisur drejt vendit.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Masoud Pezeshkian, për të diskutuar zhvillimet e fundit rajonale. Gjatë bisedës, Erdoğan i theksoi presidentit Pezeshkian se shkelja e hapësirës ajrore të Turqisë “nuk mund të arsyetohet për asnjë arsye” dhe se Turqia “do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme”.
Ministria e Jashtme e Turqisë, pas thirrjes së ambasadorit iranian, përcjellë protestën lidhur me raketën e dytë balistike të lëshuar nga Irani, e cila u shkatërrua nga mbrojtja ajrore e NATO në hapësirën ajrore turke.
