Turqia lëshon urdhër-arrest për Netanyahun; Izraeli e kundërshton

Turqia lëshoi urdhër-arresti për kryeministrin Benjamin Netanyahu, ndërsa Izraeli reagoi duke thënë se veprimi i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ishte vetëm për qëllime PR.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar deklaroi se Izraeli “e hedh poshtë me vendosmëri dhe përbuzje” urdhër-arrestin e lëshuar nga Turqia për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe disa zyrtarë të lartë qeveritarë e ushtarakë. Ai shtoi se ky veprim është “një tjetër veprim PR” nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Zyra e Prokurorit të Stambollit lëshoi ‘urdhërarreste’ për udhëheqës dhe zyrtarë të lartë izraelitë. Izraeli e kundërshton me vendosmëri dhe përbuzje këtë veprim të fundit të marrëdhënieve me publikun nga tirani Erdogan,” citon Ministria e Jashtme fjalët e Saar.

Më 7 nëntor, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit lëshoi një urdhër-arresti për Netanyahun, Ministrin izraelit të Mbrojtjes Israel Katz, Ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, si dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Izraelite Eyal Zamir, dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë. Ata akuzohen për “gjenocid dhe krime kundër njerëzimit” në Rripin e Gazës, si dhe shkelje të flotës Sumud, e cila u përpoq të thyente bllokadën detare të enklavës palestineze.

Scroll to Top