Turqia përgatit masa ekstreme për fluks refugjatësh nga Irani

Frikë për valë refugjatësh nëse bie regjimi në Iran; Turqia merr masa ekstreme

Turqia po përgatit plane emergjence për të parandaluar një fluks masiv refugjatësh nga Irani, në rast të mundshëm të rënies së qeverisë në Teheran. Këto informacione janë bërë të ditura për ‘Middle East Eye’ nga zyrtarë të njohur me takimet private zhvilluar në Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke.

Zyrtarë të lartë nga Ministria e Jashtme turke kanë informuar ligjvënësit këtë javë mbi disa skenarë të mundshëm lidhur me Iranin. Sipas pjesëmarrësve në takim, Ankaraja është e përgatitur të ndërmarrë “masa emergjente” për të menaxhuar çdo presion migrator para se ai të mbërrijë në territorin turk.

Një nga pjesëmarrësit ka theksuar se zyrtarët i janë referuar qartë një “zone të sigurt” në anën iraniane të kufirit, si pjesë e përgatitjeve të Turqisë. Një tjetër burim ka konfirmuar se, edhe pse termi nuk u përdor drejtpërdrejt, zyrtarët kanë dhënë një sinjal të qartë për qëllimin e tyre për të tejkaluar masat e zakonshme të sigurisë.

Siguria e shtuar kufitare

Turqia ka rritur në mënyrë drastike sigurinë përgjatë kufirit të saj prej 560 kilometrash me Iranin. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar më herët gjatë muajit instumin e një sistemi barrierash të përmirësuar teknologjikisht, duke përfshirë qindra kulla mbikëqyrëse, dronë, automjete ajrore për mbikëqyrje dhe një mur betoni të artikuluar. Sipas zyrtarëve, kufiri tani monitorohet 24 orë në ditë përmes sistemeve të integruara të identifikimit dhe mbikëqyrjes.

Gjatë takimit të përmendur parlamentar, zyrtarët turq kanë raportuar se rreth 4,000 persona janë vrarë dhe 20,000 të tjerë janë plagosur në protestat e fundit në Iran, të shkaktuara nga inflacioni në rritje dhe rënia e vlerës së monedhës.

Shqetësime për mobilizimin ushtarak amerikan

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka deklaruar se Ankaraja kundërshton çdo ndërhyrje të huaj në Iran dhe i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të zgjedhin rrugën diplomatike. Megjithatë, sipas një zyrtari të Gjirit, të cituar nga Middle East Eye, Uashingtoni po shqyrton sulme kundër zyrtarëve të lartë iranianë. SHBA-të kanë dislokuar kohët e fundit avionë luftarakë, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe anije luftarake në rajon. Të hënën, aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln hyri në ujërat e Lindjes së Mesme, duke shtuar shqetësimet në Ankara.

Ndjeshmëria ndaj refugjatëve dhe rreziqet rajonale

Turqia mbetet jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj mundësisë së flukseve të reja të refugjatëve, pasi ka strehuar miliona persona të zhvendosur nga luftërat në Irak dhe Siri. Zyrtarët vlerësojnë se një konflikt i përgjithësuar i fokusuar në Iran mund të shtyjë deri në një milion njerëz drejt kufirit turk. Burimet kanë theksuar gjithashtu se Ankaraja vështirë se do të pranojë refugjatë, përveç rasteve të nevojës së menjëhershme humanitare, duke braktisur kështu çdo politikë të “dyerve të hapura”. Megjithatë, prania e të paktën 12 milionë turqve azerbajxhanas në Iran mund të komplikojë opsionet e qeverisë turke nëse këta persona paraqiten masivisht në kufi.

Scroll to Top