Lufta në Lindjen e Mesme: Turqia nis bisedimet me SHBA-të dhe Iranin për t’i dhënë fund luftimeve
Turqia ka nisur bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe Iranin në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës në rajon, njoftoi të enjten Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.
“Kemi përjetuar momentet më intensive të luftës në ditët e fundit”, tha Fidan gjatë një konference për shtyp në Ankara, ku mori pjesë edhe homologu i tij gjerman, Johann Wadephul. Ai shtoi: “Pyetja është, çfarë shansesh ka për negociata, në ç’masë është e mundur?”
“Kjo luftë duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur… Po flasim me palën iraniane dhe po flasim me palën amerikane”, theksoi Fidan. Ai shtoi se, sipas tij, sulmi ndaj Iranit “është po aq i padrejtë dhe i paligjshëm sa sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit”.
Që prej datës 28 shkurt, Turqia është angazhuar në përpjekje diplomatike “intensive” për t’i dhënë fund këtij konfrontimi, tha Fidan.
