Mër. Kor 18th, 2018

U qëllua me thikë dhe vdiq pas 5 ditësh, motra e tregtarit: Autori në shtëpi, jam gati të marr hak

Elvira

TIRANË- “Mu dogj shpirti për vëllain, nuk duroj dot kur shikoj që ai që e futi në dhe është i lirë”. Këto janë fjalët e motrës së Afrim Llanës, 46-vjeçarit që u qëllua me thikë ndërsa shiste në treg dhe ndërroi jetë pas 5 ditësh në spital.

Por përveç humbjes së njeriut të dashur, familjarët e tij thonë se autori i krimit është i lirë në shtëpinë e tij. Ata janë sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 për të kërkuar drejtësinë. Motra e tij, Elvira Murati thotë se nga spitali iu thanë se kishte pësuar infarkt, por ajo është e sigurt që vdekja ka ardhur nga plagosja me thikë në këmbë.

zemra

“Afrimit tim kurrë në botë nuk i ka rënë infarkt. S’ka pasur kurrë probleme me zemrën. Asnjëherë në vizita nuk i kanë dalë probleme me zemrën”, tha motra.

Ajo u betua se nëse nuk vendoset drejtësi do ta zgjidhë vetë çështjen dhe do marrë hak.
“Nuk e besoj kurrë që vëllai im ka vdekur nga zemra. Si ka mundësi që vëllai im është në dhe dhe autori bëri 4 muaj burg dhe sot është në shtëpi. Atëherë do e zgjidhim në mënyrë tjetër. Edhe unë si motër jam gati të marr hak”, deklaroi Elvira, raportoi “InfoPasqyra/BW”.

Ajo shpjegon që fillimisht mjeku iu kishte thënë se nuk i ishte prekur arteria por në të vërtetë po.
“Kur shkuam në spital, mjeku na tha për pak ka shpëtuar pa iu prekur arteria, kur arteria i ishte prekur. Ka pasur 4 plagë të thella me thikë në këmb dhe vdekja i ka ardhur nga plakët”, u shpreh ajo.
Elvira tregon edhe bisedën me autorin e ngjarjes, 44-vjeçarin Ilir Haku.

“I thashë autorit paske dalë ë. Po mos kujto se dhe ti do shpëtosh, dhe ti tek Afrimi do shkosh. Ia thashë nuk e mohoj se mu dogj shpirti. Më la gruan me 3 fëmijë vetëm”, tha e tronditur e motra e viktimës, duke apeluar për drejtësi.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Durrës në 7 shtator të vitit të shkuar. Ka nisur si një sherr banal mes dy tregtarëve në treg dhe ka përfunduar në plagosjen me thikë të njërit prej tyre.
Afrim Llana, 46 vjeç është transportuar menjëherë më pas në spitalin e Durrësit, por për shkak të disa goditjeve me thikë në këmbë ka pasur shume hemorragji.

Policia ka marrë familjarët për t’i pyetur për detaje rreth ngjarjes, më pas, kur u lanë të lirë të shqetësuar kanë shkuar drejt spitalit dhe janë informuar nga mjekët se gjendja e tij po stabilizohej dhe nuk kishte rrezik për jetën.

Vetëm pas pak ditësh 46-vjeçari baba i 3 fëmijëve ka ndërruar jetë dhe ka shokuar të gjithë familjarët.
Pas kapjes së autorit të krimit çështja kaloi në gjykatë. Me gjithë insistimin e familjarëve autori Ilir Haku, 44 vjeç bëri vetëm 4 muaj burg dhe më pas iu ndërrua masa dhe u la në arrest shtëpie.

(m.k/InfoPasqyra/BW)