Hën. Kor 16th, 2018

U “zhduk” nga Durrësi, anija e kripës së dëmtuar ndalohet në Kroaci

Anija “Sea Scanner”, që u largua pa leje nga Porti i Durrësit, është ndaluar në portin e qytetit Rijeka, në Kroaci.

Anija kishte në hambarë një sasi prej 500 tonësh kripë të destinuar për tregun shqiptar, por që rezultoi e dëmtuar. Kjo sasi, pjesë e ngarkesës 6 000-tonëshe, u kthye në objekt të një mosmarrëveshjeje tregtare mes subjektit pritës të mallit “Jurgen XXL”, subjektit dërgues dhe transportuesit, që është kompania egjiptiane “Sea Scanner Logistics”, e cila nga hetimet e para të dokumentacionit të anijes së saj rezulton të ketë probleme me siguracionin e mjetit dhe rrjedhimisht probleme në mbulimin e dëmshpërblimit.

Pa u zgjidhur ky konflikt tregtar dhe me ngarkesën e zhdoganuar në Durrës, anija me kapiten sirian u largua në orët e para të së shtunës, pa lajmëruar autoritetet shqiptare nga rada portuale e Durrësit.

Pronari i subjektit shqiptar, për llogari të të cilit ishte ngarkesa me kripë, ka denoncuar në polici vjedhjen flagrante të ngarkesës së mbetur në anije dhe mungesën e reagimit të strukturave shtetërore, që mbrojnë sigurinë portuale dhe kufitare në Durrës.

InfoPasqyra/tch