Udhëzim i ri Doganor: Kompetencë Territoriale Standardizohet

Miratohet udhëzimi i ri për zbatimin e rregullit të kompetencës territoriale

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka miratuar një udhëzim të ri, të titulluar “Për zbatimin e rregullit të kompetencës territoriale”. Ky udhëzim ka për qëllim të unifikojë dhe standardizojë procedurat për zbatimin e kompetencës territoriale, të përcaktojë qartë rastet e përjashtimit nga ky rregull, si dhe të rrisë efikasitetin në administrimin e formaliteteve doganore.

Udhëzimi konsolidon rregullimet e mëparshme administrative në këtë fushë në një akt të vetëm, duke krijuar një praktikë të unifikuar për të gjitha strukturat doganore, në përputhje me Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë.

Nëpërmjet këtij akti përcaktohen në mënyrë të qartë rregullat për zbatimin e kompetencës territoriale në procedurat e importit dhe eksportit. Gjithashtu, përcaktohen rastet kur, për shkak të natyrës së mallrave, mënyrës së transportit apo rrethanave të veçanta, formalitetet doganore mund të kryhen në një degë doganore të ndryshme nga ajo territorialisht kompetente.

Udhëzimi parashikon gjithashtu:

  • Standardizimin e procedurave për formalitetet e përqendruara doganore për kategori të caktuara mallrash.
  • Trajtimin e ngarkesave grupazh dhe të ngarkesave me mallra të përziera.
  • Procedurat që ndiqen në rastet urgjente, të forcës madhore apo rrethanave të paparashikuara.

Një element tjetër i rëndësishëm është përcaktimi i procedurës së aplikimit për përjashtim nga rregulli i kompetencës territoriale nëpërmjet portalit e-Albania. Ky mekanizëm siguron një mënyrë të qartë dhe transparente për shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave të operatorëve ekonomikë.

Për më tepër, udhëzimi mundëson, në rastet e parashikuara, kryerjen e formaliteteve doganore pranë Degës Doganore Tiranë për mallrat që paraqiten në këtë degë nëpërmjet regjimit të transitit. Synimi është shmangia e ridërgimit të tyre drejt degëve të tjera territorialisht kompetente dhe lehtësimi i procedurave për operatorët ekonomikë.

Zbatimi i këtij udhëzimi kontribuon në unifikimin e praktikës administrative, rritjen e transparencës dhe gjurmueshmërisë së vendimmarrjes, si dhe në përmirësimin e efikasitetit të procedurave doganore. Në të njëjtën kohë, ruhen të paprekura kompetencat e autoriteteve doganore për ushtrimin e kontrolleve dhe verifikimeve në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Scroll to Top