Kreu i forcave të armatosura ukrainase: T’i lëshosh territor Rusisë është e papranueshme!
Kreu i forcave të armatosura ukrainase ka deklaruar në mënyrë të qartë se do të ishte “e papranueshme” për Ukrainën që të “dorëzonte thjesht territore” në çdo marrëveshje paqeje me Rusinë.
Gjenerali Oleksandr Syrskyi u shpreh për Sky News se një “paqe e drejtë” mund të arrihet vetëm nëse luftimet do të ndalonin përgjatë vijave aktuale të frontit dhe më pas do të zhvilloheshin negociata.
Ai më tej theksoi mungesën e plotë të besimit ndaj Kremlinit dhe pretendimeve të tij se dëshiron t’i japë fund luftës. Gjenerali akuzoi Vladimir Putinin se po e përdor përpjekjen e Donald Trump për të ndërmjetësuar bisedimet e paqes si një “mbulim”, ndërkohë që trupat ruse po përpiqen të marrin më shumë territore me forcë në fushëbetejë.
Kjo deklaratë e rrallë ofron deri tani treguesin më të qartë për “vijat e kuqe” të Kievit, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po përpiqen të negociojnë një zgjidhje. Një draft fillestar kishte parashikuar kërkesën që Kievi t’i dorëzonte Moskës të gjithë rajonin e Donbasit në lindje të vendit.
Presidenti Volodymyr Zelensky, i mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar dhe aleatë të tjerë evropianë, po përpiqet të forcojë pozicionin e Ukrainës në frontin diplomatik. Megjithatë, presidenti Putin ka deklaruar se Rusia ose do ta pushtonte ushtarakisht Donbasin, ose trupat ukrainase do të duhet të tërhiqen.
Syrskyi la të kuptohet se ushtarët e Ukrainës do të vazhdojnë të luftojnë nëse diplomacia dështon dhe paralajmëroi se në rrezik është e ardhmja e të gjithë Evropës.
“Detyra jonë kryesore është të mbrojmë tokën tonë, vendin tonë dhe popullin tonë,” tha ai në një intervistë ekskluzive në bodrumin e një ndërtese në Ukrainën lindore. “Sigurisht, për ne është e papranueshme të dorëzojmë thjesht territore. Ç’kuptim ka kjo – të dorëzojmë tokën tonë? Pikërisht për këtë po luftojmë: që të mos heqim dorë nga territori ynë,” theksoi ai.
