Ukraina pretendon se goditi dy cisternat ruse të naftës në Detin e Zi
Ukraina deklaroi sot se ka goditur dy cisternat e naftës në Detin e Zi me dronë detarë. Sipas Kievit, këto anije i përkisnin një “flote hije” ruse, e cila përdorej nga Moska për të shmangur sanksionet perëndimore.
Një burim nga shërbimet e sigurisë ukrainase (SBU) tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve se cisternat “Kairos” dhe “Virat” u goditën nga dronët “Sea Baby” gjatë një operacioni të përbashkët të SBU-së dhe Marinës Ukrainase. Burimi shtoi se anijet ishin bosh në momentin e goditjes dhe po lundronin drejt portit rus të Novorossijskut për t’u rimbushur me hidrokarbure.
“Pamjet video tregojnë se, pasi u goditën, të dy cisternat pësuan dëme të rënda dhe praktikisht dolën jashtë funksionit. Kjo përbën një goditje të madhe ndaj transportit të naftës ruse,” tha një zyrtar i SBU-së, duke folur në kushte anonimati dhe duke u cituar nga agjencia Reuters. Zyrtari nuk specifikoi datën e saktë të sulmit.
