Ukraina lëshon qindra dronë kundër Rusisë gjatë natës
Ukraina ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha ajrore me dronë që nga fillimi i luftës, duke lëshuar 283 mjete ajrore pa pilot drejt Rusisë gjatë natës nga e premtja në të shtunën, sipas Ministrisë Ruse të Mbrojtjes. Agjencia shtetërore RIA Novosti raportoi se të gjithë dronët u interceptuan dhe nuk u raportuan dëme apo viktima.
Megjithatë, autoritetet rajonale dhanë informacione të ndryshme për pasojat e sulmeve:
- Në rajonin Rostov, pranë kufirit me Ukrainën, rreth 90 dronë ishin në shënjestër, bëri të ditur guvernatori Yuri Slyusar.
- Në rajonin Saratov, një sulm me dron shkaktoi plagosjen e dy personave dhe dëmtime në disa banesa, sipas autoriteteve lokale.
Në planin diplomatik, Volodymyr Zelensky njoftoi se negociatorët ukrainas dhe amerikanë pritet të takohen në Shtetet e Bashkuara të martën për raunde të reja bisedimesh, në përpjekje për të ringjallur procesin e përfundimit të konfliktit. Bisedimet e mëparshme mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga SHBA, u ndërprenë pas përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të 28 shkurtit kundër Iranit.
