Kreditë e brendshme të garantuara nga qeveria shqiptare pësuan rënie për të katërtin vit radhazi në 2025.
Vlera e borxhit të brendshëm të kompanive publike dhe private, të garantuara nga shteti shqiptar, pësoi një rënie për të katërtin vit radhazi në vitin 2025. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, borxhi i brendshëm i garantuar në fund të vitit të kaluar zbriti në 8.56 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 39.5% krahasuar me një vit më parë.
Borxhi i brendshëm i garantuar nga qeveria shqiptare përbëhet kryesisht nga huatë e garantuara për kompanitë publike të sektorit energjetik në vend. Vlera e këtyre kredive në fund të vitit 2025 zbriti në 6.4 miliardë lekë, duke regjistruar një ulje prej 41.7% krahasuar me një vit më parë. Arsyeja kryesore e kësaj rënieje lidhet me rifinancimin e disa prej kredive të kompanive publike të sektorit energjetik pranë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Si pasojë, edhe garancia për këto kredi është transferuar në favor të BERZH.
Këto kredi ishin marrë fillimisht nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë/Furnizuesi i Shërbimit Universal nga tre banka tregtare vendase. Konkretisht, bëhet fjalë për një kredi prej 20 milionë eurosh të marrë nga Tirana Bank, një kredi prej 10 milionë eurosh të marrë nga Banka Amerikane e Investimeve dhe pjesën dërrmuese të një kredie prej 16.4 milionë eurosh, të marrë në Raiffeisen Bank. Kreditë në fjalë janë rifinancuar me kushte më të favorshme nga BERZH dhe prej muajit korrik 2025 është bërë efektive garancia sovrane prej afërsisht 46 milionë eurosh në favor të saj. Në teori, rifinancimi i këtyre kredive jashtë vendit çliron më shumë fonde të lira për financimin e sektorit privat të ekonomisë.
Kreditë për kompanitë e sektorit energjetik kanë dominuar historikisht strukturën e garancive të brendshme të qeverisë shqiptare. Megjithëse një pjesë e tyre është zhvendosur drejt BERZH, huatë e mbetura të kompanive të sektorit energjetik ende përbëjnë 75% të totalit të garancive të brendshme të qeverisë shqiptare.
Rënie pësuan edhe borxhet e garantuara të ndërmarrjeve private. Sipas Ministrisë së Financave, garancitë sovrane në favor të bizneseve private vitin e kaluar ranë në 3.18 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 31% krahasuar me një vit më parë. Ky borxh i takon pesë skemave të garancisë sovrane për biznesin të miratuara nga qeveria shqiptare, siç janë:
- Garancia shtetërore për pagat, miratuar në vitin 2020.
- Garancia shtetërore për financimin e rimëkëmbjes së aktivitetit tregtar nga pandemia, po e vitit 2020.
- Garancia shtetërore për financimin e subjekteve që tregtojnë me shumicë produkte ushqimore bazë, miratuar në vitin 2022.
- Garancia shtetërore për garantimin e huamarrjes së subjekteve të industrisë përpunuese, miratuar në prill 2024.
- Garancia shtetërore për garantimin e huamarrjes së subjekteve të sektorit të bujqësisë, miratuar në korrik 2025.
Në masën dërrmuese, borxhi i garantuar i takon skemës së dytë, atij të garancisë shtetërore për financimin e rimëkëmbjes së aktivitetit tregtar nga pandemia, e vitit 2020. Borxhi i garantuar nga kjo skemë përbënte rreth 77% të garancive sovrane për ndërmarrjet private. Skemat e tjera të garancisë sovrane duket se kanë gjetur një përdorim shumë të vogël nga bizneset, duke përfshirë edhe më të renë, për garantimin e kredive bankare të fermerëve. Në fund të vitit 2025, shuma e shfrytëzuar nga skema në fjalë e garancisë sovrane ishte vetëm 366 milionë lekë, duke përbërë vetëm 12% të vlerës totale të vendosur në dispozicion për këtë qëllim.
