Importuesit: Taksën e qarkullimit të reformohet, për të ulur menjëherë çmimin e naftës
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve i ka paraqitur qeverisë një propozim për reformimin e taksës së qarkullimit. Sipas tyre, ky ndryshim do të sillte menjëherë uljen e çmimit të karburanteve.
Aktualisht, nafta tregtohet rreth 200 lekë për litër, një rritje nga 170–175 lekë që ishte para fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Në bursat ndërkombëtare, çmimi i naftës ka kaluar 100 dollarë për fuçi. Nëse kriza vazhdon, pritet që çmimet të rriten edhe më tej.
Në një propozim të detajuar, aktorët e tregut sugjerojnë heqjen e taksës aktuale prej rreth 32.4 lekë për litër nga karburanti. Kjo taksë, sipas tyre, duhet të zëvendësohet me një tarifë vjetore të drejtpërdrejtë mbi automjetet, e cila do të jetë e diferencuar sipas kategorive të automjeteve dhe ndikimit të tyre në infrastrukturë.
Dokumenti tregon se Shqipëria konsumon rreth 730 milionë litra karburant në vit, duke gjeneruar rreth 23.6 miliardë lekë (afro 246 milionë euro) të ardhura nga kjo taksë. Importuesit propozojnë që e njëjta shumë të mblidhet përmes një skeme të re, ku çdo automjet do të paguante mesatarisht rreth 310 euro në vit. Kjo tarifë do të ishte më e ulët për mjetet e vogla dhe më e lartë për kamionët dhe autobusët.
Sipas përllogaritjeve orientuese, tarifa mesatare vjetore për automjet do të ishte rreth 310 euro, me strukturë të diferencuar si më poshtë:
- Rreth 40 euro në vit për motorët.
- Rreth 150 euro për automjetet e vogla.
- Rreth 200 euro për SUV dhe fuoristrada.
- Mbi 500 euro për kamionë dhe autobusë.
Importuesit argumentojnë se sistemi aktual krijon pabarazi fiskale, pasi taksa paguhet njësoj për çdo litër karburanti, pavarësisht llojit të mjetit apo dëmit që ai shkakton në rrugë. Një model i ri do të zhvendoste barrën drejt mjeteve më të rënda dhe ndotëse, duke e bërë sistemin më të drejtë dhe më të krahasueshëm me praktikat në vendet e Bashkimit Europian.
Propozimi parashikon një sërë efektesh pozitive në ekonomi. Ulja e çmimit të karburantit pritet të rrisë konkurrueshmërinë rajonale dhe të ulë kostot e transportit, duke u reflektuar në çmime më të ulëta për mallrat dhe shërbimet. Në të njëjtën kohë, rritja e konsumit mund të kompensojë pjesërisht të ardhurat përmes TVSH-së dhe tatim-fitimit.
Një element tjetër kyç është përfshirja e automjeteve elektrike në bazën e taksimit. Këto automjete aktualisht nuk kontribuojnë përmes taksës së karburantit, por numri i tyre po rritet me shpejtësi. Po ashtu, skema e re synon të reduktojë kontrabandën dhe furnizimin jashtë vendit në zonat kufitare, duke formalizuar më tej tregun.
