Ulje çmimi të naftës, gazoili 210 lekë/litër

Bordi Ul Naftën në 210 Lekë/Litër, Hiqet Reduktimi i Akcizës

Bordi i Transparencës, në mbledhjen e tij të datës 9 Prill 2026, ka vendosur që çmimi maksimal i shitjes me pakicë për nënproduktin gazoil të standardit SSH EN 590 të jetë 210 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë ky çmim nuk do të kalojë 198 lekë për litër. Ky vendim sjell një ulje prej 10 lekësh për litër.

Ndërkohë, Bordi ka njoftuar se, pasi çmimi ka rënë nën 220 lekë për litër, akciza do të aplikohet në masën e plotë, duke hequr reduktimin prej 20% që ishte në fuqi.

Përsa i përket benzinës, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për nënproduktin e standardit SSH EN do të jetë 173 lekë për litër, dhe për shitjen me shumicë jo më shumë se 161 lekë për litër.

Çmimet e vendosura nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 9 Prill, në orën 14:30, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës, ku do të shqyrtohen përsëri ndryshimet e mundshme të çmimeve.

Bordi u bën thirrje të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës të respektojnë këtë vendim. Në rast shkeljesh, do të merren masa për pezullimin e aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

Ky vendim bazohet në Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar. Ky akt parashikonte që nëse çmimi me pakicë për gazoilin kalon 220 lekë/litër, ose për benzinën kalon 200 lekë/litër, zbatohet 80% e akcizës. Pasi çmimet e reja të shitjes me pakicë janë nën këto kufij, akciza do të aplikohet në masën e plotë, 100%.

Scroll to Top