Die. Dhj 16th, 2018

UNHCR në Maratonën e Tiranës, Zapata: Shqipëria njihet për zemërgjerësinë

TIRANË, 7 tetor/ATSH- A. Fortuzi/- UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka marrë pjesë të dielë në Maratonën e zhvilluar në Tiranë, të organizuar nga Bashkia e Tiranës. 150 të rinj e të reja, fëmijë, por dhe të rritur i janë bashkuar UNHCR në këtë maratonë për të përçuar mesazhin sensibilizues për të qenë sa më pranë refugjatëve.

Pablo Zapata, përfaqësuesi i UNHCR në vendin tonë tha gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “kjo është një sfidë për të shprehur solidaritetin tonë me refugjatët. Në këtë sfidë na janë bashkuar 150 persona të çilët së bashku me ne duan të përçojnë mesazhin se duhet të jemi pranë refugjatëve”, tha Zapata. “Jemi përgatitur prej disa muajsh për këtë garë”, vijoi ai.

Me orgjinë spanjolle, por me një shqipe të pastër, Zapata bëri të ditur se janë rreth 68.5 milionë individë që janë larguar nga banesat e tyre për shkak të luftës apo problematikave të tjera përgjatë vitit 2017.  “25.4 milionë nga këta ishin refugjatë dhe më shumë se gjysma fëmijë. 85% e këtyre refugjatëve janë zhvendosur në vende në zhvillim, të cilat kanë vështirësi për tu kujdesur për këtë grup personash”, tha Zapata.

“Në Shqipëri ka rreth 124 refugjatë, por ka dhe shumë që vijnë në Shqipëri për të kaluar, tranzit drejt vendeve të BE-së. Ky numër është rritur këtë vit. Ne bashkëpunojmë me qeverinë në kufi por dhe qendrat e pritjes, veçanërisht fokusi jonë janë kryesisht fëmijët dhe zonjat e zonjushat”, theksoi Zapata.

“Shqipëria është treguar gjithnjë një vend i hapur për solidaritet dhe mbrojtje të refugjatëve dhe qytetarëve në nevojë. Kjo është diçka që i njihet vendit tuaj prej vitesh, jo vetëm sot. Edhe Ndërkombëtarët kanë vlerësuar këtë, duke i dhënë përgjegjësi të caktuara Shqipërisë në drejtim të refugjatëve. Refugjatët, thekson Zapata, janë si gjithë ne. “Ne kemi qenë refugjatë, ka njerëz në Shqipëri që janë larguar nga vendi për disa arsye dhe kjo shtresë e di mjaft mirë vështirësinë që ka largimi nga vendi ku je lindur e rritur… Duhet zemërgjerësi dhe mirësi karshi kësaj shtrese qytetarësh”, tha Zapata. /j.p/

Kategori