Uragani Melissa godet Kubën dhe Xhamajkën, dëme të mëdha

Pas shkatërrimeve në Xhamajkë, uragani Melissa godet Kubën.

Uragani Melissa ka goditur Kubën të mërkurën, disa orë pasi shkaktoi shkatërrim në Xhamajkën fqinje, duke qenë stuhia më e fuqishme që ka goditur këtë ishull të Karaibeve.

Melissa ka goditur brigjet jugore dhe lindore të Kubës me erëra që kanë arritur deri në 195 kilometra në orë, sipas Qendrës Kombëtare Amerikane për Uragane. “Stuhia shkatërruese, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe erërat e fuqishme të uraganit po vazhdojnë edhe mëngjesin e sotëm,” tha kjo qendër.

Afro 735 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në pjesën lindore të Kubës teksa stuhia afrohej, thanë autoritetet. Presidenti kubanez, Miguel Diaz-Canel, paralajmëroi të martën se stuhia mund të “shkaktojë dëme të mëdha” dhe u bëri thirrje njerëzve të respektonin urdhrat për evakuim.

Fuqia e uraganit Melissa është dobësuar, por vazhdon të jetë një stuhi e rrezikshme e kategorisë tre, pasi goditi Xhamajkën me erëra të fuqishme. Kur goditi Xhamajkën, stuhia ishte klasifikuar në kategorinë pesë.

Stuhia ka shkaktuar përmbytje në Xhamajkë dhe ka lënë mbi 500 mijë banorë pa energji elektrike. Kryeministri xhamajkan, Andrew Holness, tha se stuhia ka dëmtuar spitale, shtëpi banimi dhe biznese, si dhe ka shkaktuar dëme në infrastrukturën rrugore.

Holness shtoi se qeveria nuk kishte marrë ende njoftime për ndonjë vdekje të konfirmuar nga stuhia, por duke pasur parasysh fuqinë e uraganit dhe shkallën e dëmeve, “presim që mund të ketë humbje jete”.

Meteorologët nga AccuWeather kanë thënë se Melissa është uragani i tretë më i fuqishëm që ka goditur Karaibet, pas Wilmas në vitin 2005 dhe Gilberit në vitin 1988 – ky i fundit ishte stuhia e madhe e fundit që kishte goditur drejtpërdrejt Xhamajkën.

Shkencëtarët thonë se uraganet po forcohen më shpejt dhe po bëhen më të shpeshtë si pasojë e ngrohjes së ujërave të oqeanit, e shkaktuar nga emetimet e gazeve serrë. Shumë liderë të Karaibeve u janë bërë thirrje vendeve të pasura, të cilat janë ndotësit më të mëdhenj, të ofrojnë reparacione në formën e ndihmës ose lehtësimit të borxhit për ishujt tropikalë.

Erërat e uraganit Melissa u dobësuan teksa stuhia kaloi mbi malet e Xhamajkës, duke goditur komunitetet malore të cenueshme ndaj rrëshqitjeve të tokës dhe përmbytjeve. Mediat lokale raportuan të paktën tre të vdekur në Xhamajkë gjatë përgatitjeve për stuhinë.

“Shteti ynë është shkatërruar nga uragani Melissa, por ne do ta rindërtojmë dhe do ta bëjmë këtë edhe më mirë se më parë,” tha kryeministri Holness mëngjesin e së mërkurës.

Në Bahama, që pritet të goditet nga Melissa pas Kubës, Qeveria ka urdhëruar evakuimin e banorëve nga pjesët jugore të arkipelagut.

Scroll to Top