Urë shembur në Xhyrë, fshati në izolim total për shkak të motit

Moti i keq/ Fshati Xhyrë në izolim total, shembet këmba e urës mbi Shkumbin

Fshati Xhyrë, në Njësinë Administrative Hotolisht, bashkia Librazhd, po përballet prej mëngjesit të sotëm me një situatë të rëndë emergjente. Ura kryesore që e lidhte fshatin me rrugën kombëtare është shkatërruar plotësisht nga prurjet jashtëzakonisht të mëdha të lumit Shkumbin.

Rënia e këmbës qendrore të urës, e vendosur në mes të shtratit të lumit, ka shkaktuar dëmtimin dhe shembjen e strukturës, duke bllokuar menjëherë çdo lloj lëvizjeje. Rrjedha e fuqishme e ujit, e nxitur nga reshjet intensive dhe prurjet e pazakonta të ditëve të fundit, ka bërë që ura të mos i rezistojë goditjes së vazhdueshme, duke e kthyer situatën në një rrezik për sigurinë publike.

Që në orët e para, emergjencat civile dhe policia kanë ndërhyrë duke bllokuar hyrjet dhe duke vendosur sinjalistikën e nevojshme. Qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve është ndaluar për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Pas shembjes së urës, Xhyra është izoluar plotësisht. Banorët nuk kanë asnjë mundësi komunikimi ose lëvizjeje drejt zonave të tjera. Ndikimi i kësaj situate ndihet veçanërisht tek fëmijët dhe familjet e tyre. Nxënësit e shkollës 9-vjeçare kanë mbetur pa mësim, pasi mësuesit nuk kanë mundur të hyjnë në fshat për shkak të ndërprerjes së lidhjes rrugore.

Scroll to Top