Ambasada e SHBA në Tiranë uron shqiptarët për ndërrimin e viteve: Partneriteti ynë forcohet, festojmë arritjet më të mëdha
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përcjellë një mesazh urimi për shqiptarët me rastin e Vitit të Ri. Ambasada thekson se partneriteti mes dy vendeve do të vazhdojë të forcohet, duke u bazuar në qëllime dhe vlera të përbashkëta.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada thekson se fundi i vitit është një moment i përshtatshëm për të reflektuar mbi arritjet e përbashkëta dhe për të pritur me entuziazëm zhvillimet e ardhshme, veçanërisht ato të vitit 2026.
“Ndërsa viti po i afrohet fundit, duam të festojmë arritjet tona më të mëdha dhe gjithë entuziazmin për atë që do të vijë në vitin 2026! Nga vizita historike e USS Mount Whitney në brigjet e Shqipërisë, te Shtetet e Bashkuara që do të presin ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare në botë, partneriteti ynë vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta. Gëzuar Vitin e Ri nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë!”, thuhet në mesazhin e tyre.
