Hën. Nën 12th, 2018

Vagalati, fshati i harruar nga Bashkia e Memaliajt. Problemi kryesor, tokat

Banorët e fshatit Vagalat në Memaliaj ankohen në “Fiks Fare” se fshati i tyre është harruar nga bashkia, pasi kanë një sërë problemesh dhe askush nuk u jep zgjidhje. Problemi kryesor është ndarja e tokave, që ka sjellë disa përplasje mes banorëve, pasi nuk dinë ku kanë kufijtë.

Sipas tyre, fshati ka rreth 30 familje dhe problemet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga rruga e amortizuar, varrezat e fshatit që janë kthyer tokë bujqësore, si dhe ndarja e kufijve mes njëri-tjetrit.

Sa i përket rrugës, ata shpjegojnë se ajo është amortizuar dhe prej vitesh nuk ka vënë dorë njeri në të. Një grua shpjegon se, për shkak të mungesës së rrugës, djalit të saj i ka plasur apendesiti, pasi vonoi shumë për të shkuar në spital. Prandaj, banorët kërkojnë që të paktën të bëhet një ndërhyrje për shtrim provizor me çakëll.

Një tjetër problem për ta është edhe mungesa e Qendrës Shëndetësore, ku infermierja detyrohet t’i vizitojë në shtëpi. Ndërsa një banor thotë se në tokën e tij kalojnë tubat e ujërave të zeza, por familja që i ka vënë premton se do t’i heqë tubat, që mos të krijojnë debate me fqinjët.

Por, problemi kryesor i tyre është ndarja e tokave. Sipas banorëve, në vitin 1992 kur janë ndarë tokat, janë krijuar probleme me numrat kadastralë, pasi janë shënuar gabim dhe tashmë nuk gjejnë se ku kanë kufijtë.

Pavarësisht se kufizimet janë me njëri-tjetrin, atyre nuk u korrespondojnë numrat kadastralë. Për këtë arsye, ata kanë kërkuar ndihmën e Bashkisë dhe Prefekturës, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Madje, kjo ka sjellë përplasje me ish-anëtarin e Komisionit të ndarjeve të tokave, të cilin e akuzojnë se ka bërë falsifikimet për të përfituar për vete dhe i ka firmosur tapitë e tyre në vend të kryetarit të Komisionit të asaj kohe. Sipas tyre, duke falsifikuar letrat ai ka privatizuar edhe varrezat e vjetra të fshatit, që i ka rrethuar.

Por, ish-anëtari i Komisionit të ndarjes së tokave tregon se çfarë ka ndodhur në atë kohë. Sipas tij, fillimisht tokat në fshat janë ndarë fshatçe, pa bërë dokumente. Më vonë i kanë rimbledhur si komision, por nga 7 që kanë qenë, janë mbledhur vetëm 5, pasi dy ishin jashtë shteti.

Ata, duke i qëndruar ndarjes së parë, kanë firmosur tapitë për banorët. Por, ai thotë se tapitë që kanë banorët me probleme nuk janë firmosur prej tij. Pra, ai mohon se firma e hedhur në tapi është e tij, pavarësisht se pranon që ka firmosur tapitë në atë kohë. Kurse për varrezat, ai thotë se ka punuar tokën, vetëm ku janë hequr varret më parë dhe nuk ka eshtra në tokën e punuar, ndërsa pjesën tjetër të varrezave e ka rrethuar që mos të hyjnë gomerët.

Gjatë shpjegimit të tij, banorët ndërhyjnë dhe i kërkojnë llogari për rrethimin e varrezave, por gjatë debatit, ish-anëtari i Komisionit thotë se do e prishë gardhin dhe shkon ta prishë. Në fund të përplasjeve, ata bien dakord që të vijë një komision dhe të bëjë një plan rivendosjeje dhe ata do të respektojnë kufijtë e vendosur prej grupit të punës.

Për këto shqetësime të banorëve të Vagalatit, “Fiks Fare” pyeti edhe në Bashkinë e Memaliajt. Administratori i Njësisë Luftinjë, Sefer Kanushi, i cili ka në administrim fshatin Vagalat, thotë se në bashki sapo është miratuar buxheti, ku janë planifikuar që në muajt shkurt-mars të blihen një skrep dhe një makinë transporti. Sapo të përfundojë kjo procedurë, me një ekip pune të bashkisë do të bëhet ndërhyrja për shtrimin e kësaj rruge, por edhe rrugëve të tjera në fshatrat e Bashkisë së Memaliajt.

Ndërsa specialisti Beqir Gjergji thotë se është njohur prej vitesh me shqetësimin e këtyre banorëve dhe ka marrë disa ankesa. Madje, ata janë ankuar edhe në prefekturë. Sipas tij, bashkia, në bashkëpunim me prefekturën, kanë shkuar disa herë dhe kanë verifikuar gjendjen në terren, sidomos pas ankesave të dy banorëve, Kristo Bregasi dhe Riza Kërbizi.

Por, tapitë që ata disponojnë nuk janë të rregullta dhe nuk mund të bëjnë planvendosje të re, atë që kërkojnë banorët, pasi në Bashki nuk ekziston formulari 6. Pra, pa këtë formular, i cili nuk është as në bashki dhe as në ZVRPP nuk mund të bëhet planvendosje, dhe në këto kushte banorët vetëm mund t’i drejtohen gjykatës.

InfoPasqyra/tch

Aktualitet – Top Channel

Kategori