“Mami, babi ma shiti shpirtin djallit” / Vajza e kanibalit suedez rrëfen: Më përfshiu në një ritual satanist në burg
Historia e Jamie Lee Arroë është një nga më të errëtat dhe më tronditëset që është bërë publike vitet e fundit. I ati, i njohur si “Kanibali Skara”, u bë i njohur pas vrasjes dhe kanibalizmit të partneres së tij në vitin 2010, një ngjarje që tronditi Suedinë.
Për Jamie-n, kjo histori nuk ishte thjesht një lajm në media, por momenti që ndryshoi përgjithmonë jetën e saj. Babai i saj ishte ndarë nga nëna kur ajo ishte shumë e vogël, por Jamie mbajti kontakte me të dhe u lidh shumë me partneren e tij, Helle Christensen, të cilën e konsideronte si një nënë të dytë. Megjithatë, Helle dhe Isakin kishin një marrëdhënie të dhunshme dhe si fëmijë, Jamie dëshmoi disa sherre mes tyre.
Helle i kishte thënë Jamie-t para se të vritej: “Shijo vaktin tënd… Kjo është hera e fundit që do të gatuaj për ty, sepse Isakin do të më vrasë”. Fjalët e Helle rezultuan të vërteta.
Në nëntor 2010, Draband, i cili e shpalli veten satanist, i preu kokën partneres së tij dhe hëngri copa të trupit të saj. Në një intervistë për LadBible, Jamie tregoi se si nëna e saj u përpoq ta mbronte nga e vërteta rreth të atit, duke thënë: “Jeta që njihje, nuk ekzistonte më”.
“Nuk më lejohej të shikoja televizor, radio, të shkoja në dyqane apo në shkollë për një muaj. Mbyllëm perdet sepse fqinjët përpiqeshin të shihnin,” kujton Jamie.
Ndërsa gjyqi i Draband përparonte, çështja mori një vëmendje të madhe në Suedi. Qytetarët mësuan nga gazetat se ai kishte përdorur thikë për t’ia prerë kokën trupit dhe për t’i grisur rrobat. Duke përdorur një sharrë dhe një sëpatë, vrasësi ia copëtoi trupin dhe skuqi copa mishi nga gjymtyrët.
Jamie tregoi se si nëna e saj u përpoq ta mbronte nga e vërteta rreth krimeve të babait të saj. “Një ditë nëna ime më çoi në dyqan… Dhe papritmas pashë fytyrën e babait tim në të gjithë faqen e parë të gazetës më të madhe të Suedisë,” kujton ajo. Në atë kohë, ajo nuk e dinte çfarë do të thoshte fjala “kanibal”.
Pasi pati qasje në një kompjuter, Jamie kërkoi në internet për të zbuluar kuptimin e fjalës. “Më duhej të ndaloja, sepse ishte shumë e dhunshme dhe e neveritshme. Thjesht nuk mund ta pranoja që babai im kishte të bënte me atë fjalë,” rrëfen ajo.
“Vajza e kanibalit të Skarës”
Edhe pasi u dënua dhe u dërgua në një institucion psikiatrik, Draband vazhdoi të bënte bujë në media. Ai hapi një blog ku u përgjigjej pyetjeve të publikut rreth krimeve të tij dhe një dyqan online ku shiste kukulla vudu, të firmosura me gjak.
Kur ishte adoleshente, Jamie vizitoi të atin në burg. Draband i dha asaj një kukull vudu dhe i tha se do t’i vriste fëmijët që e ngacmonin në shkollë. Jamie shpjegon se pati një kohë të vështirë në shkollë për shkak të reputacionit të babait të saj: “Më ngacmonin duke më quajtur ‘vajza e kanibalit’. Kështu më njihnin të gjithë. E lashë shkollën kur isha 14 vjeç dhe fillova të merrja drogë… U bë shumë keq dhe në moshën 15 vjeç isha plotësisht e varur.”
“Mami, babi ma shiti shpirtin djallit, më vjen keq”
Gjatë një vizite te i ati, Jamie i tha: “Nuk di çfarë të bëj, dua të vdes. Nëse diçka nuk ndryshon tani, do të vras veten.” Ai i’u përgjigj se ka vetëm një zgjidhje: një ceremoni satanike ku do t’ia shiste shpirtin djallit.
“Ishte një ceremoni ku do t’ia shisja shpirtin tim djallit. Ai më tha të ulesha, më mbajti duart dhe ne ishim përballë njëri-tjetrit. Më tha të mbyllja sytë dhe të përsërisja pas tij fjalë që i drejtoheshin djallit. Zgjati rreth dhjetë minuta. Ndërsa po i thoja këto fjalë, u neverita dhe mendova ‘çfarë po bëj?’”.
“Mendoja se nuk mund ta bëja këtë, pastaj ishte tepër vonë dhe duhej të vazhdoja, nuk kishte kthim pas. Kur mbaruam së foluri, ai më tha: ‘A i sheh, Jamie? A i sheh qeniet që fluturojnë rreth teje? Ata janë gjithmonë këtu dhe të ndjekin. Dhe tani nuk mund t’i shohësh. Unë i shoh gjatë gjithë kohës, por ti jo. Por së shpejti do t’i dëgjosh dhe përfundimisht do t’i shohësh. Por mos ki frikë, ata janë këtu për të të ndihmuar.’ Dhe ata ishin si demonë. Nuk kam qenë kurrë kaq e frikësuar në jetën time. E dija që në çdo moment do të filloja t’i dëgjoja dhe nuk kishte asnjë mënyrë për ta ndaluar. Ishte tepër vonë, ia kisha shitur shpirtin djallit,” thotë ajo.
Jamie tregon se pas ceremonisë u kthye në shtëpi duke u dridhur. Ajo i dërgoi një mesazh nënës së saj për t’i thënë lamtumirë, duke besuar se do të çmendej. “Isha ulur në divan duke u dridhur. I mbulova veshët, sytë dhe e dija që në çdo moment do të humbisja mendjen dhe nuk do të kthehesha më. Po tërhiqja flokët, nuk mund të merrja frymë. Fillova të godisja kokën dhe vazhdova të dëgjoj zërin e babait tim që thoshte ‘do të fillosh t’i dëgjosh, t’i shohësh, ata do të jenë gjithmonë me ty.’”
“Mirupafshim mami, po iki, nuk do të kthehem,” i tha ajo nënës së saj. “Ajo ishte në panik dhe unë i thashë ‘mami, babi ma shiti shpirtin djallit dhe nuk mund të kthehem, më vjen keq. Po çmendem, duhet të më çosh në spital.’ Nëna ime u tërbua dhe më pyeti ‘si mund ta thotë këtë babi yt? Si mund ta bëjë këtë me ty? Vajzës së tij?’”
Nëna e saj e ngushëlloi: “Jamie, babai yt nuk mund të të shndërrojë në atë që është. Ti je dashuri dhe dritë, nuk do të jesh kurrë errësira që është ai. Nuk do të jesh kurrë në gjendje të jesh e tillë. Mos ki frikë, dashuria dhe drita janë më të forta se errësira e tij.”
Pas këtij incidenti, Jamie pranon se nuk foli me të atin për dy ose tre javë. Kur më në fund folën, ajo i tha: “Babi, u ndjeva keq pas asaj ceremonie dhe nëse vazhdojmë të kemi kontakt, nuk dua që të më përfshish në këto gjëra.” Ai u përgjigj: “Jamie, e bëra që të kuptosh se nuk do të jesh më kështu. Doja që ti të krijoje rrugën tënde nga errësira ime.”
“Mendoj se është e pamundur të ndalosh së dashuruari prindin tënd”
Në fund, Jamie i ndërpreu të gjitha kontaktet me të atin. Ajo shpjegon se patën biseda të gjata dhe të thella ku e falte, por pastaj ai i dërgoi një mesazh kërcënues nëse do ta kontaktonte përsëri.
Ajo thotë se është e vështirë të vajtosh një person që është gjallë. Kur u pyet nëse e do të atin, ajo u përgjigj: “Mendoj se është e pamundur të ndalosh së dashuruari prindin tënd.”
Tani, Jamie thotë se misioni i saj është të sigurojë që fëmijët e saj nuk do të ekspozohen kurrë ndaj tmerrit që përjetoi ajo. “Dua t’u jap fëmijëve të mi atë që nuk e kisha. Dua t’u jap atyre siguri, dashuri të pakufizuar. Nuk dua kurrë që ata të vijnë në kontakt me asnjë formë errësire. Fëmijët e mi erdhën si dashuri dhe dritë dhe kështu do të ikin.”
Përsa i përket asaj që do t’i thoshte vetes në rininë e saj: “Nëse do të mund t’i tregoja një video, do t’i tregoja tre sekonda nga ajo që do të vinte, tre sekonda, duke i thënë: ‘Prit, gjërat do të përmirësohen.’ Pak shpresë.”
