Vajza Poradeci: Bashkia tallen prej 35 vitesh

Vajza e Lasgush Poradecit në lot: Bashkia tallen prej 35 vitesh me figurën e babait!

Marie Poradeci, vajza e shkrimtarit të madh Lasgush Poradecit, ka reaguar ashpër, duke treguar në emisionin “Shqipëria Live” se një event për babain e saj do të organizohet në Vjenë, por familja nuk është ftuar.

Ajo ka shpjeguar se ka marrë një njoftim për vendosjen e një pllake përkujtimore në Vjenë, në vendin ku Lasgushi ka jetuar për 10 vite, por ky njoftim nuk përbënte ftesë zyrtare.

Sipas Marie Poradecit, prej 35 vitesh bashkia e Pogradecit po vepron në mënyrë abuzive me figurën e babait të saj, Lasgush Poradecit, i cili konsiderohet si nderi i qytetit të lindjes dhe i Shqipërisë.

Ajo ka treguar momentin kur ka marrë njoftimin nga ambasadori ynë në Austri: “Unë e pyeta: ‘Ky njoftim shërben si ftesë?’ Ai tha: ‘Ky është informacion’. Unë, siç e mora njoftimin, e postova në faqen time, dhe më mori nënkryetarja e bashkisë duke më thënë: ‘Bleje biletën, se ta paguan kryetari’. I thashë: ‘Me kë po flet? Keni për detyrë të më sillni ftesë. Nuk kam dalë as për viktimë, as për të kërkuar lëmoshë. Nëse e ka organizuar ambasada jonë në Austri, le të më sjellë ftesë. Duhet ta sillnin ftesën.’”

Marie Poradeci theksoi se gjithë informacionin për vendosjen e pllakës e ka dhënë ajo vetë dhe, për këtë arsye, meritonte të ishte e pranishme, jo vetëm si vajza e Lasgush Poradecit.

“Ajo që më ka indinjuar është prania e njerëzve që nuk duhet ta përfaqësojnë babain tim apo të gëzojnë mbi eshtrat e tij, dhe këta janë përfaqësues të bashkisë së Pogradecit. Kanë 35 vite që sillen në mënyrë mizore me babain tim,” u shpreh ajo.

Ajo kujtoi rastin e vitit 1998, kur Pallati i Kulturës mori emrin “Lasgush Poradeci” dhe pllakën e zbuloi Ismail Kadare. “Jo vetëm që e thyen, e zhdukën, por vendosën disa gërma, i morën niptin dhe vulën dhe kryetari e bëri si qendër multifunksionale. E kanë eliminuar emrin e babait tim,” tha ajo.

Më pas, në vitin 2005, u vendos një shtatore, e cila me kalimin e kohës u konsumua. “Dy vite nuk kam folur, nuk kam ngritur zërin, dhe askush nuk ma ka dëgjuar. Shtëpia e babait tim, jo që nuk u bë muze, por u kthye në hajdutëri. Vetëm fjalë, gënjeshtra dhe tallje,” përfundoi ajo.

Scroll to Top