KLGJ cakton nëpër gjykata 42 magjistratët e rinj
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) miratoi të mërkurën projekt-vendimet për caktimin në detyrë të 42 magjistratëve të rinj, të cilët përfunduan Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2024-2025.
Megjithëse emërimi i tyre si magjistratë gjyqtarë u krye më 31 korrik, caktimi në funksion u realizua afro tre muaj më vonë. Kjo vonesë erdhi për shkak të moskryerjes në kohë nga ana e KLGJ-së të lëvizjeve paralele dhe ngritjes në detyrë të gjyqtarëve aktualë, veprime këto të domosdoshme për krijimin e vendeve të lira në gjykatat e Shkallëve të Para të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…” përcakton se Këshillat duhet të shpallin vendet e lira brenda muajit qershor të çdo viti, ndërsa brenda muajit korrik secili Këshill duhet të publikojë vendimet e tij për caktimin e të emëruarve në pozicionet e lira. Këto dispozita ligjore nuk janë respektuar nga ana e KLGJ-së në mënyrë të përsëritur.
KLGJ është justifikuar se caktimi duhej të priste përfundimin e procedurave të transferimit paralel dhe të ngritjes në detyrë të gjyqtarëve aktualë.
Procesi i vetingut ka sjellë largimin nga sistemi të më shumë se gjysmës së trupës së magjistratëve. Si pasojë, në gjykata janë krijuar vakanca të shumta që vijojnë të mbeten të paplotësuara prej vitesh, duke kontribuar në rritjen e numrit të dosjeve që presin të shqyrtohen.
Sipas të dhënave të ofruara nga KLGJ, struktura organizative për të gjitha gjykatat parashikon 417 gjyqtarë. Organika faktike aktuale përfshin 308 gjyqtarë të emëruar, nga të cilët janë efektivisht në detyrë 265. Me caktimin e magjistratëve të rinj, numri i gjyqtarëve efektivisht në detyrë shkon në 307, ndërsa i të emëruarve arrin në 350. Megjithatë, mbeten ende 67 vende vakante në gjykata.