Marrëveshja e Paqes: Zëvendëspresidenti i SHBA-së viziton Armeninë dhe Azerbajxhanin në shkurt
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, do të udhëtojë drejt Armenisë dhe Azerbajxhanit gjatë muajit shkurt. Ky njoftim u bë publik dje nga presidenti amerikan Donald Trump, përmes platformës së tij “Truth Social”.
Në postimin e tij, Trump shprehu mirënjohje ndaj presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan, për zbatimin e marrëveshjes së paqes të nënshkruar në gushtin e kaluar në Uashington, nën mbikëqyrjen e administratës amerikane.
“Dua të falënderoj Presidentin Aliyev dhe Kryeministrin Pashinyan për respektimin e marrëveshjes së paqes që nënshkruam gushtin e kaluar. Në shkurt, Zëvendëspresidenti Vance do të udhëtojë për në këto dy vende për të vazhduar përpjekjet tona për paqe,” theksoi Trump.
Marrëveshja e arritur në Uashington ka si qëllim t’i japë fund mosmarrëveshjes territoriale disa dekadëshe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Ajo parashikon krijimin e një zone tranziti, e cila do të kalojë nëpër territorin armen dhe do të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e tij, Nakhichevanin. Kjo zonë tranziti, një kërkesë e hershme nga Bakuja, do të quhet “Rruga e Trumpit drejt Paqes dhe Prosperitetit Ndërkombëtar” (TRIPP).
Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të kenë të drejta zhvillimi në këtë korridor, duke i mundësuar Uashingtonit të avancojë interesat e tij strategjike në një rajon kyç, i cili është i pasur me burime hidrokarburesh.
Vizita e Zëvendëspresidentit Vance pritet të përqendrohet në zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe në forcimin e stabilitetit rajonal.
