Varr masiv qensh në zemër të Tiranës, denoncimi në rrjetet sociale
Një organizatë ka denoncuar në rrjetet sociale një ngjarje të rëndë, duke e cilësuar si “varr masiv qensh” në Tiranë. Sipas organizatës, bëhet fjalë për 11 kafshë të ngrira, çka tregon se ato janë mbajtur për një kohë të gjatë në ambiente frigoriferike.
Gjithashtu, janë gjetur mbetje spitalore dhe materiale që ngrenë dyshime mbi përfshirjen e strukturave të caktuara në këtë ngjarje. Organizata ka bërë kallëzim penal dhe ka dorëzuar të gjitha provat e mbledhura, duke kërkuar një hetim të plotë, transparent dhe urgjent.
Ata shprehen se e dinë kush qëndron pas kësaj ngjarjeje dhe e cilësojnë një vepër të tillë si një dështim të rëndë njerëzor dhe institucional, të papërshtatshëm për një qytet që synon të jetë europian.
Postimi i plotë i organizatës:
“Masakër në zemër të Tiranës: Varr masiv qensh në mes të Tiranës – 11 trupa qensh të ngrirë dhe një ndërgjegje e vdekur.
Sot u përballëm me një nga pamjet më makabre që kemi parë ndonjëherë. Pas një raportimi nga vullnetarët, shkuam në vendngjarje dhe ajo që gjetëm ishte përtej çdo imagjinate njerëzore. Në kazanët e mbeturinave u gjetën mbi 11 trupa qensh të pajetë, të hedhur pa asnjë mëshirë, sikur të mos kishin qenë kurrë qenie të gjalla.
Faktet tronditëse:
- Trupat ishin të ngrirë: Gjendja e tyre tregon qartë se janë mbajtur për një kohë të gjatë në ambiente frigoriferike përpara se të hidheshin.
- Mbetje spitalore: Mes trupave u gjetën materiale veterinare dhe pjesë trupore që lidhen me ndërhyrje sterilizimi, çka ngre dyshime serioze mbi përfshirjen e strukturave të caktuara.
- Prova në vendngjarje: Kemi gjetur qese dhe materiale specifike që mund të ndihmojnë në identifikimin e origjinës së këtij krimi. Asnjë krim nuk mbetet pa gjurmë.
Kemi depozituar menjëherë kallëzim penal dhe kemi dorëzuar çdo provë në dispozicionin tonë. Tashmë, barra i mbetet autoriteteve: kërkojmë një hetim të plotë, transparent dhe urgjent. Kushdo që fshihet pas këtij akti duhet të mbajë përgjegjësi penale.
Dhe le të jetë e qartë: për ne nuk ka asnjë dyshim se kush e ka kryer këtë akt dhe nga kanë dalë këta qen. Ne e dimë shumë mirë kush jeni — dhe ata e dinë po aq mirë që ne e dimë.
I bëjmë thirrje vullnetarëve, punonjësve apo qytetarëve që kanë informacion: Mos heshtni. Heshtja juaj është ajo që e lejon këtë barbarizëm të vazhdojë.
Vrasja masive dhe trajtimi i kafshëve si mbeturina spitalore është një dështim i rëndë njerëzor dhe institucional. Një qytet që pretendon të jetë europian nuk mund të lejojë që kazanët e plehrave të kthehen në varreza masive të fshehta. Tirana nuk mund dhe nuk duhet të jetë kjo.”
