Vdekja e asistuar: Themeluesi i Dignitas, Ludwig Minelli, i jep fund jetës

Themeluesi i organizatës “Dignitas”, Ludwig Minelli, i jep fund jetës përmes vdekjes së asistuar

Themeluesi i organizatës zvicerane “Dignitas”, Ludwig Minelli, i cili mbron të drejtën për të vdekur, i ka dhënë fund jetës së tij përmes një vdekjeje të asistuar.

Minelli, themeluesi i këtij grupi në vitin 1998, vdiq pak ditë para se të mbushë 93 vjeç, raporton The Guardian.

Organizata “Dignitas” theksoi në një njoftim se Minelli deri në fund të jetës së tij ka vazhduar të kërkojë mënyra për të ndihmuar njerëzit të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur t’i japin fund jetës përmes vdekjes së asistuar.

Në nivel ndërkombëtar, qëndrimet ndaj vdekjes së asistuar kanë pësuar ndryshime të ndjeshme në pothuajse tre dekadat nga themelimi i “Dignitas”.

Kohët e fundit, Franca ka miratuar një ligj që lejon disa persona në fazat e fundit të një sëmundjeje terminale të kenë të drejtën për vdekje të asistuar.

Që nga viti 2015, Kanada, Australia, Zelanda e Re, Spanja dhe Austria kanë miratuar ligje për vdekjen e asistuar.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vdekja e asistuar është e ligjshme në 10 shtete.

Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar vazhdon debati i ashpër mbi një projektligj për vdekjen e asistuar, i cili mori mbështetjen e deputetëve në një votim në qershor dhe tani po shqyrtohet në Dhomën e Lordëve. Nëse miratohet, ligji do t’u lejojë të rriturve në gjendje të rëndë në Angli dhe Uells të aplikojnë për vdekje të asistuar.

Scroll to Top