Vdekja e Khaleda Zia, ish-kryeministrja e parë e Bangladeshit

Ish-kryeministrja e parë grua e Bangladeshit, Khaleda Zia, ka ndërruar jetë në një spital në kryeqytetin Daka, pas një sëmundjeje të gjatë. Lajmin e bënë të ditur partia e saj dhe mediat lokale.

Në një deklaratë të publikuar të martën, Partia Kombëtare e Bangladeshit (BNP) njoftoi se Zia vdiq në orën 6 të mëngjesit, sipas kohës lokale. Ajo ishte 80 vjeç.

“Udhëheqësja jonë e dashur kombëtare nuk është më me ne. Ajo na la në orën 6 të mëngjesit sot,” shkroi BNP në një postim në Facebook. “Lutemi për faljen e shpirtit të saj dhe i kërkojmë të gjithëve të ofrojnë lutje për shpirtin e saj të ndjerë,” vijoi deklarata.

Mjekët e saj bënë të ditur se Khaleda Zia vuante nga cirrozë e avancuar e mëlçisë, artrit, diabet, probleme me mushkëritë dhe zemrën. Ajo ndërroi jetë në Spitalin Evercare në Daka, ku ishte shtruar që prej 23 nëntorit, pasi kishte shfaqur simptoma të një infeksioni në mushkëri, raporton The Daily Star.

Gjatë ditëve të fundit të jetës së saj, udhëheqësi i përkohshëm i Bangladeshit, Muhammad Yunus, i kishte bërë thirrje kombit të lutej për Khaleda-n, duke e cilësuar atë si një “burim frymëzimi të madh për kombin”.

Khaleda Zia ishte dënuar për korrupsion në vitin 2018, gjatë qeverisjes së kryeministres së atëhershme Sheikh Hasina, e cila gjithashtu i kishte ndaluar udhëtimet jashtë vendit për trajtim mjekësor. Ajo u lirua vitin e kaluar, pak kohë pasi Hasina u detyrua të largohej nga pushteti. Në fillim të këtij muaji kishte pasur plane për ta transportuar me një ambulancë të posaçme ajrore në Londër, por gjendja e saj shëndetësore nuk ishte e qëndrueshme.

Djali i saj, personaliteti i rëndësishëm politik Tarique Rahman, u kthye në Bangladesh të enjten, pas 17 vitesh mërgim të vetëshpallur, ku u prit nga turma të mëdha mbështetësish entuziastë. Rahman pritet të drejtojë BNP-në deri në zgjedhjet e përgjithshme të 12 shkurtit dhe mund të kandidojë për kryeministër nëse partia e tij fiton shumicën.

Scroll to Top