Vdekja e themeluesit të Mango: Policia heton vrasje

Policia spanjolle ka nisur hetime për rrethanat e vdekjes së themeluesit të firmës së njohur të veshjeve Mango, Isak Andic, e cila fillimisht u cilësua si aksident.

Isak Andic, 71 vjeç, ndërroi jetë në dhjetor 2024, pas një rrëzimi nga lartësia gjatë një shëtitjeje me familjen në Katalonjë. Megjithatë, sipas raportimeve të shtypit spanjoll, policia tani dyshon për vrasje dhe po përqendrohet në rolin e mundshëm të djalit të tij, Jonathan Andic.

Jonathan Andic ishte vetëm me të atin në momentin e ngjarjes, dhe dëshmia e tij, sipas gazetës El Pais, nuk ka qenë bindëse, duke ngritur dyshime. Ai ka dhënë deklarata kontradiktore dhe të paqarta, të cilat nuk përputhen me gjetjet paraprake të policisë.

Një faktor tjetër që ka shtuar dyshimet është deklarata e partneres së Isak Andic, Estefania Knuth, e cila ka pohuar se marrëdhëniet mes babait dhe të birit ishin të tensionuara.

Gazeta La Vanguardia raporton se Jonathan Andic është transformuar nga dëshmitar në i dyshuar në shtator, ndërsa policia po kryen hetime duke analizuar përmbajtjen e telefonit të tij celular.

Isak Adić, i lindur në Stamboll, u vendos në Barcelonë në moshën 14-vjeçare dhe themeloi një nga grupet më të mëdha të veshjeve të gatshme në botë, me rreth 2,800 dyqane. Vdekja e tij ka tronditur botën e biznesit.

Scroll to Top