Historia e tij ka prekur zemrat e njerëzve në mbarë botën. Megjithatë, zemra e transplantuar te vogëlushi Domenico ishte e dëmtuar dhe ai nuk ia doli. 2-vjeçari humbi jetën.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë. Vogëlushi 2-vjeçar Domenico, i cili i ishte nënshtruar një transplanti zemre në spitalin Ospedale Monaldi në Napoli, ka ndërruar jetë. Lajmin e ka konfirmuar avokati i familjes, Francesco Petrucci.
Fëmija kishte kryer transplantin e zemrës dy muaj më parë. Sipas raportimeve, organi i transplantuar kishte mbërritur nga Bolzano me dëmtime serioze, duke komplikuar më tej gjendjen e tij shëndetësore.
Nëna e vogëlushit, në një rrëfim prekës në emisionin “Mi Manda Rai Tre”, tregoi momentet e fundit të jetës së të birit:
- “Më telefonuan natën, rreth orës 04:00, duke më thënë se ECMO (sistemi mekanik i mbështetjes së jetës) po fillonte të ngadalësohej.”
- “Qëndrova deri në fund, derisa makina u fik dhe pastaj gjithçka mbaroi”, u shpreh ajo mes lotësh.
Pranë saj ndodhej edhe Domenico Battaglia, Kryepeshkopi i Napolit, i cili kremtoi sakramentin dhe i dha fëmijës bekimin e fundit.
Të premten kishte nisur kujdesi paliativ për lehtësimin e dhimbjeve, ndërsa Domenico ndodhej në gjendje kome dhe nuk arriti kurrë të rikthente vetëdijen.
