Një 31-vjeçare nga Kosova është gjetur e pajetë në rrethana të paqarta në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës ditën e shtunë.
Policia e Durrësit njofton se specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve V. E., 38 vjeç, dhe A. Sh., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, administratorë të hotelit ku ndodhi ngjarja.
Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës me iniciale J.H. nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se dy administratorët nuk kanë lëshuar kupon tatimor për dhënien me qira të ambientit, ku shtetasja qëndronte prej muajit dhjetor 2025. Materialet u referuan në Prokurori për vlerësim, ndërkohë që priten rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes së 31-vjeçares”, thuhet në njoftimin e policisë.
