Vdekje misterioze Shkodër: Shpërthim, viktima Hysni Ymeri

Shpërthimi në Shkodër/ Vëllai i dënuar për vrasje, kush ishte viktima Hysni Ymeri

Hysni Ymeri është personi që humbi jetën si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në zonën e Perashit në Shkodër. Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Burime zyrtare nga OSHEE bëjnë me dije se, sipas verifikimeve paraprake, shpërthimi nuk dyshohet të ketë ardhur nga energjia elektrike. Argumenti është se fuqia e shpërthimit ka qenë shumë e madhe, ndërkohë që në vendin ku ndodhi eksplozioni ndodhej një panel me matës elektrik me tension deri në 400 volt. Sipas OSHEE, ky tension është i pamjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim kaq të fuqishëm.

Në ndërkohë, grupi i antiterrorit nga Tirana ka kryer këqyrjen e vendngjarjes dhe nuk ka konstatuar me sy të lirë mbetje të lëndëve eksplozive. Megjithatë, janë mbledhur materiale që do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar nëse ka pasur apo jo tritol.

Nga ana tjetër, ekspertiza mjeko-ligjore në spitalin e Shkodrës, pas këqyrjes së trupit të viktimës, e ka përcaktuar humbjen e jetës të 67-vjeçarit si pasojë të energjisë elektrike. Sipas këtij raporti, viktima ka të dëmtuar dorën e djathtë nga kontakti me rrymën elektrike, si dhe ka dëmtime në kokë nga djegia, ndërsa pjesa tjetër e trupit është e padëmtuar. Fakti që dora e djathtë ishte e nxirë nga energjia elektrike dhe jo e majta, e cila ishte pranë panelit elektrik kur viktima tentoi të ngjitej në pallat, ka bindur grupin mjeko-ligjor të përcaktojë vdekjen nga kontakti me rrymën elektrike, duke shtuar edhe djegien nga flakët në kokë.

Djali i viktimës, Alban Ymeri, deklaroi për policinë se nuk kanë probleme me askënd dhe nuk kanë pasur kërcënime. Gjithsesi, hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë deri në përfundimin e ekspertizës së plotë. Analiza kimike do të jetë ajo që do të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo kriminale.

Por kush ishte viktima Hysni Ymeri?

67-vjeçari është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër. Në fillim të viteve ’90, në Kiras, u vra Shefqet Çekorja nga vëllai i viktimës që humbi jetën sot. Pas asaj ngjarje, autori u arrestua nga policia, u zbardh vrasja dhe u dënua nga gjykata. Ndërkohë, disa vite më pas, sipas burimeve, dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit.

Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores, i cili u vra në shtatorin e vitit 2022, pranë banesës së tij, pas disa deklaratave që bëri disa ditë para asaj ngjarje.

Djali i Hysni Ymerit, i cili jeton jashtë Shqipërisë, kishte ardhur më 25 dhjetor sepse nëna e tij vuan nga kanceri dhe mjekët nuk i kishin dhënë shumë kohë jetë. Edhe ditën e ngjarjes, ai ndodhej në spital me nënën.

67-vjeçari, pasi ka pirë një kafe si çdo ditë me shokët e lagjes, është larguar nga lokali për të shkuar në shtëpi dhe më pas në spital tek bashkëshortja. Por sapo ka hyrë në hyrjen e pallatit, në katin e parë, ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Hysni Ymeri ka shkuar gjallë deri në spital, ndërsa për pak minuta ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në kokë.

Disa vite më parë, djali i xhaxhait të Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetëveten. Ndërkohë, një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri, vrau në vitin 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër, pas një konflikti pronësie. Autori arriti t’i shpëtojë policisë dhe dyshohet se ndodhet jashtë Shqipërisë që nga ajo kohë.

Policia po pret vendimin final të antiterrorit nëse ka pasur apo jo shpërthim me tritol, për t’i dhënë më pas orientimin e duhur hetimeve dhe për ta klasifikuar si ngjarje kriminale apo aksidentale.

Scroll to Top