Vdes 18-vjeçar shqiptar në aksident tragjik në Itali

Humbet jetën 18-vjeçari shqiptar në Itali pas përplasjes me makinë

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së enjtes në Sorbolo të Parmës, Itali, ku humbi jetën një 18-vjeçar me origjinë shqiptare, Francesco Ajdini, banues në Praticello di Gattatico.

Sipas informacioneve, një automjet tip Fiat, gjatë një manovre kthese majtas, është përplasur me skuterin 125 cc që drejtonte i riu. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe, pavarësisht se Francesco mbante kaskë, ai është rrëzuar me forcë në asfalt.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e emergjencës dhe autoambulanca, ndërsa është ngritur edhe helikopteri i emergjencës. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të mjekëve, plagët e marra nga i riu kanë qenë shumë të rënda dhe ai ndërroi jetë pak pas aksidentit.

Francesco kishte festuar 18-vjetorin më 18 gusht dhe jetonte me prindërit dhe motrën e tij më të madhe. Kryetari i bashkisë, Daniele Finucci, i cili e njihte familjen dhe ishte edhe mjeku i tyre, ka shprehur ngushëllime: “Një familje e ndershme dhe punëtore, ashtu si edhe Francesco. Jam i tronditur dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta në emër të komunës.”

Në rrjetet sociale, në profilin e babait të viktimës, Flamur Ajdini, ende ruhen fotot nga festa e 18-vjetorit: Francesco duke kërcyer me miqtë, duke buzëqeshur pranë tortës blu dhe i rrethuar nga familjarët.

Autoritetet pritet të kryejnë hetime shtesë për të përcaktuar me saktësi shkakun dhe përgjegjësinë e aksidentit.

Fatkeqësisht, kjo nuk është tragjedia e parë që godet familjen Ajdini. Në vitin 2004, vajza e tyre 2-vjeçare, Sara, humbi jetën po në një aksident rrugor.

Scroll to Top