Jürgen Habermas, një nga filozofët më me ndikim të kohës sonë nga Shkolla e Frankfurtit, është ndarë nga jeta.
Filozofi dhe sociologu gjerman me famë botërore, Jürgen Habermas, ka ndërruar jetë në Starnberg, pranë Mynihut. Lajmi u bë i ditur nga shtëpia botuese Suhrkamp.
Habermas, një nga mendimtarët më me ndikim të shekullit të 20-të, mbeti aktiv politikisht deri në vitet e fundit, duke mbrojtur të drejtat e azilit dhe një Bashkim Evropian të bashkuar kundër populizmit dhe nacionalizmit. Ai mori çmime të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Çmimin Ndërkombëtar Memorial Holberg 2007, dhe botoi vepra monumentale si “This Too a History of Philosophy”.
Pavajsisht prejardhjes së tij nga shkolla neo-marksiste e Frankfurtit dhe reputacionit si një filozof i afërt me Partinë Socialdemokrate, ndikimi i tij kapërceu kufijtë partiakë. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, nga Partia Kristian Demokrate konservatore, e përshkroi atë si “një nga mendimtarët më të rëndësishëm të kohës sonë”. Merz shtoi në një deklaratë: “Mprehtësia e tij analitike formësoi diskursin demokratik shumë përtej kufijve të vendit tonë dhe shërbeu si një dritë udhëzuese në një det të trazuar. Zëri i tij do të na mungojë”.
Karriera e Habermasit, që zgjati shtatë dekada, u përqendrua te themelet e teorisë sociale, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Bindja e tij se formimi i opinionit publik ishte jetik për mbijetesën e demokracive shpjegon pse Habermasi vazhdoi të shkruante libra dhe artikuj gazetash edhe në moshë të thyer.
Në një intervistë të vitit 2015 me The Guardian, ai kritikoi kancelaren e atëhershme Angela Merkel për “shpërdorimin e reputacionit të Gjermanisë pas luftës” me qëndrimin e ashpër të qeverisë së saj gjatë krizës së borxhit grek. Më së fundi, ndërhyrje të tilla kanë sjellë kritika nga intelektualë më të rinj.
Në vitin 2022 ai kritikoi ministren e jashtme të atëhershme të Partisë së Gjelbër të Gjermanisë, Annalena Baerbock, për dënimet e saj “agresivisht vetëbesuese” dhe “të mprehta” ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Deklarata e tij se lufta e Izraelit në Gaza pas sulmeve të Hamas më 7 tetor ishte “e justifikuar në parim” u prit me mosbesim nga shumë filozofë që ndjekin traditën e “teorisë kritike” të Shkollës së Frankfurtit, të cilët publikuan një letër kritike.
Vepra e tij më e fundit, “Things Needed to Get Better”, u botua në dhjetor të vitit të kaluar. Në të, ai refuzon “të lejojë që defetizmi të ketë fjalën e fundit”, duke argumentuar se është e mundur “të përballen krizat e së tashmes me vendosmëri dhe më në fund të kapërcehen”.
Botuesi i tij, Suhrkamp Verlag, njoftoi se ai vdiq të shtunën në Starnberg, pranë Mynihut. Pas tij mbeten dy nga tre fëmijët e tij.
I lindur më 18 qershor 1929 në një familje borgjeze në Düsseldorf, Habermasi iu nënshtrua dy operacioneve pas lindjes dhe në fëmijërinë e hershme për shkak të një çarje në qiellzë, gjë që rezultoi në një pengesë në të folur. Kjo pengesë shpesh përmendet si një ndikim në punën e tij mbi komunikimin. Habermasi tha se kishte përjetuar rëndësinë e gjuhës së folur si “një shtresë e përbashkësisë pa të cilën ne si individë nuk mund të ekzistojmë”, dhe kujtonte vështirësitë për t’u bërë i kuptueshëm.
Ai u rrit në një familje fort protestante. Babai i tij, një ekonomist që drejtonte dhomën lokale të tregtisë, iu bashkua Partisë Naziste në vitin 1933, por sipas Habermasit ishte vetëm një “simpatizant pasiv”. Vetë Habermasi iu bashkua organizatës rinore naziste Hitler Youth në moshën 10-vjeçare, si shumica e djemve gjermanë në atë kohë. Në moshën 15-vjeçare, ndërsa Luftës së Dytë Botërore po i afrohej fundit, ai arriti të shmangte mobilizimin ushtarak duke u fshehur nga policia ushtarake.
Më vonë ai tha se nuk do ta kishte gjetur rrugën drejt filozofisë dhe teorisë sociale nëse nuk do të ishte përballur si i ri me realitetin e krimeve naziste. Ai kujtonte se “papritur e kuptove se ishte një sistem politikisht kriminal në të cilin kishe jetuar”.
I arsimuar në Universitetin e Bonit, ku u njoh me bashkëshorten e tij Ute, ai u bë i njohur fillimisht si gazetar dhe akademik në vitet 1950. Ai i përkiste brezit të dytë të Shkollës së Frankfurtit, duke ndjekur gjurmët e mendimtarëve marksistë si Theodor Adorno dhe Max Horkheimer.
Në vitet 1980, Habermasi ishte një figurë e spikatur në “Historikerstreit”, një debat intelektual në të cilin historianë konservatorë, veçanërisht Ernst Nolte, argumentonin se mizoritë e Gjermanisë naziste nuk ishin unike dhe se krime të ngjashme ishin kryer edhe nga qeveri të tjera. Habermasi dhe kundërshtarë të tjerë të kësaj perspektive argumentonin se historianët konservatorë po përpiqeshin të zvogëlonin përmasat e krimeve naziste përmes krahasimeve të tilla. Duke mbrojtur veçantinë e mizorive të Rajhut të Tretë, Habermasi besonte se “Vergangenheitsbewältigung” – përballja me të kaluarën – duhej të ishte thelbësore për identitetin e Gjermanisë.
Bashkëshortja e tij, Ute Habermas-Wesselhoeft, vdiq vitin e kaluar. Çifti kishte tre fëmijë: Tilmann, Judith dhe Rebekka, e cila vdiq në vitin 2023.
