“`html
Erion Veliaj fiton gjyqin ndaj shtetasit italian për çështjen e inceneratorëve: Deklaratat ishin motivuar nga përfitime financiare
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka fituar çështjen gjyqësore ndaj shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti. Gjykata hodhi poshtë akuzat, të cilat kishin nxitur një valë hetimesh dhe debatesh publike në vend lidhur me çështjen e inceneratorëve.
Në përfundim të procesit gjyqësor, të zhvilluar pranë Dhomës Penale të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u konstatua se pretendimet e shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti ndaj Veliajt ishin të pavërteta.
Gjatë procesit gjyqësor, vetë shtetasi italian ka pranuar se nuk ka pasur asnjë takim, komunikim apo marrëdhënie me kryebashkiakun, as në Shqipëri, as në Itali. Longinotti gjithashtu pranoi se deklaratat e tij publike, përfshirë intervistat televizive, ishin motivuar nga premtime për përfitime financiare, duke ngritur dyshime serioze mbi besueshmërinë e burimeve që nxitën hetimin fillestar.
Vendimi i gjykatës konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm, pasi rrëzon bazën e akuzave që çuan në një proces të gjatë verifikimesh dhe presion publik ndaj Veliajt dhe familjes së tij për çështjen e inceneratorëve. Këto akuza u përdorën gjithashtu si alibi nga kundërshtarët për zhvillimin e protestave para Bashkisë së Tiranës për më shumë se një vit.
Reagimet pas vendimit kanë qenë të shumta. Mbështetësit e Veliajt e konsiderojnë këtë si një rikthim të së vërtetës dhe një goditje ndaj asaj që ata e cilësojnë si “fabrikim akuzash” me motive politike dhe mediatike.
Pas pranimit të shpifjes dhe kërkesës për falje nga zoti Longinotti, avokatët e Veliajt nuk kanë kërkuar dënim të mëtejshëm, duke u shprehur se qëllimi ishte zbardhja e së vërtetës, jo dënimi i personave të përdorur për luftë politike.
Vetë Veliaj ka deklaruar se do të vijojë betejën ligjore për të mbrojtur integritetin e tij dhe për të nxjerrë në pah përgjegjësit e dëmit të shkaktuar, duke theksuar se rasti duhet të shërbejë si mësim për përgjegjësinë që mbartin deklaratat publike.
Deklarimet në TV (Fragment nga intervista me Gabriele Tarroni Longinotti):
Pyetja: Cila është lidhja juaj me biznesin e inceneratorëve?
Gabriele Tarroni Longinotti: Jo, jo. Nuk kam asnjë lidhje me inceneratorët, por personi që më përfshiu në probleme kishte lidhje. Ai ka bërë biznes me inceneratorët. Ishte ish-ortaku im italian nga Monza, të cilit, siç zbulova më vonë, i kishte të gjitha lidhjet. Unë në ndërmarrjen ku punoja, nuk jam marrë kurrë me biznesin e energjisë, por vetëm me ushqimin. Blej mish dhe shes mish, blej fruta dhe shes fruta. Ndërsa inceneratorët janë pjesë e sektorit të energjisë, të cilin unë kurrë nuk e kam ndjekur. Por, ishim në të njëjtën ndërmarrje, një sektor energjie dhe një sektor ushqimi. Dhe unë shikoja atje të gjithë personat që vinin. Pikërisht. Unë pashë të gjithë personat që hynin në kompaninë Bruno Presezzi, mes tyre edhe shqiptarë.
Pyetja: Kam parë shumë të tillë, vetëm me njërin kam folur, kryetarin e bashkisë së Tiranës. Pra, e keni takuar personalisht? Jeni i sigurtë?
Gabriele Tarroni Longinotti: E kam takuar dy herë, në lokalin “Ciocolati italiani” dhe në restorantin “Tribe”.
Pyetja: Po çfarë lidhje kishte zoti Veliaj me kompaninë Bruno Presezzi?
Gabriele Tarroni Longinotti: Prit se duhet të bëjmë disa hapa mbrapa. Kompania italiane bleu një incenerator gjysmë-automatik në qytetin e Konstancës në Rumani, të përdorur. U kontaktuan nga bashkia e Konstancës për të çmontuar një incenerator të përdorur, gjysmë-automatik. Qyteti rumun e kishte instaluar, por ishte më shumë shpenzime se sa fitime, prandaj u çmontua. Kompania italiane u pagua nga bashkia e Konstancës me 75 mijë euro për çmontimin. Pra, rumunët kërkojnë të heqin qafe një incenerator që nuk është aspak rentabël dhe për këtë janë gati të paguajnë 75 mijë euro. Kërkesës së tyre i përgjigjet kompania italiane Bruno Presezzi, me titullar Antonio Presezzi, ortakun e Gabrielës. Ky incenerator u çmontua dhe u transportua me kamionë në Borgo di Morgora, u bë si i ri dhe pati një tentativë për ta shitur në Zimbabve.
“Të zinjtë, këta zotërinj u trajtuan si zezakë me litar në qafë, por nuk janë. Erdhën në Itali, pasi kompania italiane kishte krijuar një tjetër kompani në Zimbabve.” Një kompani në Zimbabve në emër të një shqiptari, i cili, sipas Gabrielës, ishte ish-shoferi i tij. “Ishte një shqiptar që jetoi gjithmonë në Itali, Miliad Lopa, ishte shofer, jo shumë shofer, por lavastovilës. Pa më thënë asgjë, Alberto Presezzi, ortaku im, hapi në emër të shoferit tim këtë shoqëri në Zimbabve.”
Ndërkohë që marrëveshja pritej të konkretizohej, ekspertët nga Zimbabve preferuan që më parë ta shihnin impiantin e djegies së mbeturinave dhe pastaj të jepnin miratimin për blerjen. Por aty menjëherë kuptuan se diçka nuk shkonte. Jo vetëm kaq, por qeveria e Zimbabve kërkoi të ndiqte edhe rrugën ligjore këtë tentativë mashtrimi. Atëherë, çfarë ndodh? Qeveria e Zimbabve denoncon këtë shoqëri, e cila kishte brenda saj edhe një zotëri tjetër shqiptar, i cili bënte pjesë edhe në kompaninë e inceneratorit të Tiranës. Në fakt, ai ishte punonjës, roje që ngrinte dhe ulte traun në “Bruno Presezzi SPA”, një person me aftësi ndryshe. Përveç shoferit, ai ka futur në këtë kompani të gjithë persona që paguheshin pak a shumë 1000 euro në muaj dhe me 100 euro më shumë ata pranuan të bënin gjëra të tilla. Siç i thonë italianët, “prestanomi” (persona që merrnin përsipër). Dhe këtu historia bëhet më intriguese, pasi hyn në lojë Shqipëria, e cila tregon interes për një impiant të refuzuar si i papërshtatshëm nga një shtet Afrikan. Kështu, pasi nuk u bleu nga Zimbabvet, impianti mbeti në kompaninë “Bruno Presezzi” në Monza. Erdhën politikanët shqiptarë. Unë nuk e dija, por vinin aty dhe mësova se kush ishin. “Çfarë ndodh? Në mënyrë të habitshme, ky incenerator, që edhe në Afrikë u refuzua, dhe për më tepër ishte bërë një padi ndërkombëtare ndaj këtyre personave, u ble për qindra miliona euro nga qeveria shqiptare. Dhe pastaj, personi që kam njohur dhe kam folur dy herë është kryetari i bashkisë Tiranë, ky djalë i ri që shfaqet shpesh në televizion dhe me të cilin kam folur personalisht, jemi përshëndetur.”
Sipas Gabrielës, e gjithë qarkullimi i parave në këtë aferë bëhej nëpërmjet një “lavatriçeje” të vetme. Një bankë me një kapital prej 1.8 miliardë eurosh. “Të gjitha këto qarkullime parash vinin nga Banka Popullore e Sondrios. Ishte i njëjti bankier të cilin e kanë përdorur gjithmonë, ishte ai ekspert. E njoh shumë mirë, por jo, jo, jo. Është një person shumë i rëndësishëm brenda këtij institucioni bankar. Kjo që po të them unë, është linja e biznesit të cilën e njoh.”
Pyetja: Po çfarë lidhje mund të ketë kryebashkiaku Veliaj me këtë aferë? A janë të mjaftueshme vizitat e tij në kompaninë “Bruno Presezzi” për ta konsideruar të përfshirë?
Gabriele Tarroni Longinotti: Ishte Erion Veliaj, kryetari i Tiranës, dhe kishte marrë pjesë në blerjen e këtij inceneratori mbeturinë, që nuk dinim kujt t’ia jepnim, dhe të gjithë në kompani ishin të kënaqur që erdhën këta të gjithë së bashku, ia hodhëm dhe iu shitëm diçka që ishte e pashitshme. Nëse një vidë kushton një cent dhe unë e shes gjashtë euro, askush në botë nuk mund ta kundërshtojë. Pse? Nëse unë të gjej ty që je gjysmëbudalla dhe të shes një gjë që kushton një cent dhe ta shes dhjetë, në një shtet si Shqipëria ku gjithçka është e mundur, sepse jetoni në një vend me korrupsion absolut. Në çdo vend të botës, Itali, Zvicër, etj., madje edhe në Zimbabve do të ishte e pamundur. Por në Shqipëri mund të bëhet.
Nëse këto që ky zotëri thotë janë të vërteta, pyetja është: a u mashtruan shqiptarët nga injoranca apo pranuan të jenë pjesë e kësaj skeme?
Por ka edhe një detaj tjetër interesant, që nëse rezulton i vërtetë, nuk mund të konsiderohet thjesht skandal, por tradhti e lartë ndaj atdheut. “Skandali i vërtetë është ai mes Iranit dhe Shqipërisë. Sepse skandali i vërtetë është se Shqipëria thotë se është nën sulm të hackerave iranianë. Por nga ajo që di unë, Shqipëria ishte shumë e lumtur që është financuar për këtë çështjen e inceneratorëve nga iranianët. Unë mund të të jap emrin, mbiemrin dhe kompanitë e kreut të Pasdaran, që quhet Ali Aliabadi. Ai është personi që ka dhënë paratë për të blerë inceneratorin. Blerjen për këto qindra miliona, në favor të kompanisë “Bruno Presezzi”.”
Ne publikuam një dëshmi të një personi, i cili sot ndodhet në Dubai, larg duarve të atyre që mund ta hetojnë. Edhe pse në fakt e kishim këtu deri para katër muajsh, kur Apeli vendosi ta lironte. A ishte gjithçka e mirëmenduar, për të kompensuar një dëshmitar, i cili më pas u largua nga skema? Apo ishte thjesht një rastësi, e cila çoi në hapjen përgjysmë të një “kutie pandore”, me shumë enigma të tjera, për të gjithë ne?
Gabriele Tarroni Longinotti: Unë jam i vetmi që mund të jap drejtim dhe rrugën për ta ndjekur, sepse unë isha i pranishëm. Dhe sikur të mos më kishin tradhtuar, nuk do të kisha folur kurrë.
“`
