Procesi: A do e rikthejë Kushtetuesja Veliajn në zyrë?
Ajo që pritet të kuptohet nga gjykimi që fillon këtë të premte, nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë e shkarkimit të Veliajt, por edhe me faktin nëse Rama do vërtet që të zhvillohen zgjedhjet e Tiranës.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të lërë nesër qelinë për të kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Ramës për shkarkimin e tij. Ky proces juridik, sipas avokatëve të tij, konsiderohet si një mjet pa dyshim për rivendosjen e tij në detyrë.
Kreun i PS-së, Edi Rama, në 11 shtator shpalli nga Asambleja e socialistëve shkarkimin e Veliajt dhe, po në të njëjtën frymë, emëroi Ogerta Manastirliun si kandidate. Gjashtë ditë më vonë, më 17 shtator, këshilltarët e PS-së firmosën, nën presion, duke vulosur atë që u bë fakt më 23 shtator. Në këtë datë, këshilli bashkiak, në aleancë me PD-në, votoi shkarkimin e kryebashkiakut.
Pa humbur kohë, kryeministri firmosi dekretin e shkarkimit. Me të njëjtën urgjencë, presidenti Begaj, dekretoi më 1 tetor zgjedhjet e parakohshme për Tiranën, megjithëse një ankimim i Veliajt në Kushtetuese, që e konsideronte këtë shkarkim të paligjshëm, e ndalonte ta bënte këtë.
Pikërisht ankimimin e kryebashkiakut, të hequr nga partia e tij, do të fillojë të marrë në shqyrtim Kushtetuesja. Ai pretendon se këshilltarët bashkiakë që votuan dhe Rama që firmosi, kanë kryer një akt kundër ligjit themeltar të shtetit. Neni 115 i Kushtetutës shprehet qartë se “shkarkimi i një kryetari bashkie bëhet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.
Deri këtu, pozicionet juridike mes palëve janë të qarta. Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë si kryebashkiak, pasi nuk ka shkelur ligje, nuk është arrestuar në flagrancë dhe nuk ka marrë dënim të formës së prerë. Ndërkohë, partia e tij, nën gjurmët e së cilës ecën dhe presidenti Begaj, pretendon se ai ka shkelur ligjin.
Përpos aspektit juridik, kjo përplasje ka edhe anën e saj politike. Pasi Rama e shkarkoi dhe Bajram Begaj shpalli zgjedhjet e parakohshme, të gjitha këto u zhbënë nga një vendim i ndërmjetëm i Gjykatës Kushtetuese, e cila e anuloi garën e 9 nëntorit për Tiranën, deri sa të jepet një vendim përfundimtar për shkarkimin e kryebashkiakut.
Nga ana formale, gjykatësit kishin të drejtë. Presidenti e kishte shkelur ligjin që nuk e lejonte të shpallte zgjedhje nëse i prekuri, në këtë rast Veliaj, ankohej. Por, gjithsesi, vendimi krijoi një efekt surprizë. Pse një Gjykatë Kushtetuese, që zakonisht ka marrë vendimet që ka dashur qeveria, këtë herë veproi ndryshe? Aq më fort ngjante surpriza kur shihej se vendimi ishte marrë 8-0 në favor të tij? A mos kishte një konsensus politik për ta bërë këtë?
Pikërisht kjo pyetje do të shtrohet edhe në seancën e 31 tetorit. Kur të njëjtët gjyqtarë nuk do të gjykojnë më për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë, por për themelin e çështjes: nëse ishte i drejtë apo jo shkarkimi i Veliajt për mungesë në punë? Duke nisur nga precedenti i pak kohëve më parë, kur ata votuan unanimisht kundër asaj që kishte kërkuar Edi Rama, shtrohet dilema: Mos vallë 8 gjykatësit e Kushtetueses u pavarësuan? Apo në të kundërt, është thjesht pushteti që ka ndryshuar mendje?
Në këtë rast, ajo që pritet të kuptohet nga gjykimi që fillon këtë 31 tetor, nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë e shkarkimit të Veliajt, por edhe me faktin nëse do të zhvillohen zgjedhjet e Tiranës. Pasi, nëse i japin të drejtë Veliajt, anëtarët e Kushtetueses nuk vendosin vetëm ta lënë atë si pronar të zyrës së tij të zbrazët, por anulojnë automatikisht edhe garën e nisur mes Ogerta Manastirliut dhe Florian Binajt.
