Veliaj kërkon në Kushtetuese rrëzimin e vendimit për shkarkimin e tij
Erion Veliaj, ish-kryebashkiaku i Tiranës, u paraqit në orën 9:30 të mëngjesit të së premtes në Gjykatën Kushtetuese, duke shënuar prezantimin e tij të parë publik që prej 10 shkurtit, ditës së arrestimit të tij nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Ai u shfaq në seancën për shqyrtimin e çështjes së shkarkimit të tij nga Këshilli i Ministrave, duke e ankimuar këtë vendim si antikushtetues dhe duke kërkuar rivendosjen në detyrë.
Veliaj u arrestua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në mandatin e tij të tretë, me akuzat për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një grup biznesmenësh. Ai akuzohet për 13 episode të veprave penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, akuza të cilat ai i ka mohuar.
Shkarkimi i tij u iniciua nga kryeministri Edi Rama, pas një kërkese drejtuar anëtarëve të PS-së në Këshillin Bashkiak për nisjen e procedurës. Argumenti zyrtar për shkarkimin nga qeveria ishte mungesa e Veliajt në detyrë për më shumë se tre muaj.
Në të njëjtën seancë, Gjykata shqytoi kërkesat e Veliajt për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, si dhe për shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës për shpalljen e datës së zgjedhjeve në Tiranë. Me pranimin e ankimimit të Veliajt, sipas nenit 115 të Kushtetutës, shkarkimi i tij u pezullua automatikisht.
Gjatë seancës, përfaqësuesit ligjorë të Presidentit kërkuan që gjykata të shpallte moskompetencën për shqyrtimin e dekretit, por kërkesa u hodh poshtë. Veliaj e cilësoi procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak si antiligjore dhe aludoi për shënjestrim politik, ndërkohë që shprehu habinë për “efikencën” me të cilën organet shtetërore kishin operuar brenda tetë orëve për procesin e shkarkimit dhe shpalljes së zgjedhjeve.
Ai pretendoi se qeveria po vepronte me dy standarde, duke e krahasuar rastin e tij me atë të kryebashkiakut të Tropojës, i cili, sipas tij, nuk ishte shkarkuar pavarësisht mungesës 11-mujore në detyrë për shkak të masës së arrestit shtëpiak.
Përfaqësuesi ligjor i qeverisë, ndërkohë, argumentoi se nuk kishte paralelizëm, pasi Këshilli Bashkiak i Tropojës nuk kishte sjellë propozim në qeveri. Ai këmbënguli se akti i shkarkimit ishte teknik, vetëm një konstatim i faktit ligjor të mungesës në detyrë, të mbështetur në ligjin për Vetëqeverisjen Vendore dhe jo në Kushtetutë.
Debati ligjor u përqëndrua te baza ligjore e përdorur nga qeveria dhe nëse kishte pasur një proces të rregullt ligjor. Avokati i Veliajt, Ermal Yzeiri, theksoi se vendimi i qeverisë nuk mund të shihej si një akt administrativ i pavarur nga neni kushtetues, duke kërkuar që të merrej në konsideratë elementi i “fajit” për shkarkim. Ai po ashtu argumentoi se Veliaj nuk kishte pasur mundësinë të dëgjohej në Këshillin Bashkiak apo Këshillin e Ministrave.
Përfaqësuesi ligjor i Këshillit të Ministrave, Herald Jonuzaj, rikonfirmoi se arsyet e shkarkimit nuk lidheshin me nenin 115 të Kushtetutës, por vetëm me ligjin për Vetëqeverisjen Vendore. Ai kërkoi moskompetencën e Gjykatës Kushtetuese për rastin.
Presidenca, e përfaqësuar nga këshilltari ligjor Ilirjan Rusmali, pretendoi se Gjykata Kushtetuese po vepronte jashtë juridiksionit të saj ligjor duke marrë në shqyrtim dekretin e shpalljes së zgjedhjeve. Rusmali, duke u shprehur për përdorimin e fjalës “kurth” nga Presidenca në lidhje me aktin e pezullimit të dekretit, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të merrte kompetencat e presidentit dhe të shpallte datën e re të zgjedhjeve në Tiranë, në rast se shkarkimi i Veliajt do të pranohej si i ligjshëm.
Pas dëgjimit të të gjitha palëve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u tërhoqën për vendim.